Gazeta Si – Si pasojë e reshjeve intensive të shiut gjatë ditëve të fundit, disa qarqe të vendit janë përfshirë nga përmbytje, rritje të prurjeve në lumenj, rrëshqitje dherash dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Ndonëse situata sot është përmirësuar në krahasim me ditët e kaluara, ka edhe problematika në qarqet Shkodër, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Dibër dhe Berat.
Në Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka sjellë përmbytje në disa zona, ndërsa në Durrës janë verifikuar mbi 5 mijë banesa, me dëme të konstatuara në 1 711 prej tyre dhe evakuimin e 851 personave.
Probleme nga përmbytjet raportohen edhe në Lezhë, Berat dhe Elbasan, ndërsa në Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e akseve rrugore nga rrëshqitjet e dherave.
Strukturat e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura ndodhen në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të zonave të prekura të bashkëpunojnë me autoritetet vendore për menaxhimin e situatës.
SITUATA NË VEND
Në Qarkun Shkodër, rritja e niveleve të lumenjve Drin, Kir dhe Bunë ka shkaktuar përmbytje në territorin e Bashkisë Shkodër, kryesisht në njësitë administrative Ana e Malit dhe Dajç. Strukturat e bashkisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren dhe po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme situatën, duke evidentuar pikat me risk dhe duke marrë masa paraprake për mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve. Hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nivelet e ujit janë nën kuotat kritike.
Në Qarkun Durrës janë verifikuar gjithsej 5 477 banesa, nga të cilat në 1 711 raste janë konstatuar dëme. Janë evakuuar 851 persona, kryesisht në zonat Sukth dhe Katund i Ri, ku rreth 2 000 hektarë tokë bujqësore janë nën prezencë uji. Vijon puna për konstatimin dhe vlerësimin e dëmeve.
Në Qarkun Lezhë, niveli i ujit ka shënuar rënie përgjithësisht në tokat bujqësore. Forcat në terren po punojnë për largimin e ujit nga disa banesa. Të gjithë hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë, me përjashtim të atij të Gocajve, ku është evidentuar mungesë energjie elektrike. Niveli i lumit Drin vijon të jetë në ulje, ndërsa lumi Mat ka shënuar rritje për shkak të shkarkimeve nga HEC-et Shkopet dhe Qafë Mollë. Nuk raportohen probleme në akset rrugore.
Në qarqet Gjirokastër dhe Dibër po punohet për pastrimin e disa akseve rrugore, ku janë shënuar rrëshqitje dherash, si dhe për largimin e ujit nga disa objekte.
Në qarqet Berat dhe Elbasan, rritja e prurjeve të lumenjve Osum dhe Devoll ka sjellë përmbytje të sipërfaqeve bujqësore. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



