Ngjarje

Zjarri te ‘5 maji’, tregtarët të tensionuar: E gjithë jeta jonë ishte këtu

Nga Gazeta Si- Zjarri që përfshiu mbrëmjen e 8 janarit tregun e rrobave të përdorura në zonën “5 maji” në Tiranë, ka lënë pas dëme të konsiderueshme materiale, trishtim dhe tensione mes tregtarëve të cilët janë përplasur me menaxherin e magazinave.

Flakët masive përfshinë kapanonet 1 dhe 2 ku vlerësohet se janë rreth 100 magazina të djegura.

Shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike por pritet vlerësimi përfundimtar ndërkohë që një tregtar ka bërë fajtor përgjegjësin e tregut. Debatet mes tyre kanë agravuar aq sa është dashur ndërhyrja e policisë, e cila i ka shoqëruar në komisariat për sqarimet.

Dëmet materiale që ka lënë pas zjarri masiv janë kolosale. Një tregtar i cili thotë se tregtonte çorape, geta dhe streçe, ka dëme mbi 200 milionë lekë, ndërkohë që shton se ai kishte më pak hapësirë se të gjithë, duke shtuar se dëmi për të tjerët është akoma më i madh.

“Jemi në qiell të hapur. Asnjëherë nuk na kanë kërkuar të iknim. Nuk i kemi pasur të siguruara bizneset. Ka plas zjarri tek panelet, nuk është për fajin tonë. E gjithë jeta jonë ishte këtu. Nuk kam ku të shkoj”, thotë një nga tregtarët.

Për ngjarjen ka reaguar edhe dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, duke thënë kjo ngjarje është një goditje për familjet dhe sipërmarrjen e vogël.

Institucioni thotë në një deklaratë të postuar në rrjetet sociale se ngjarja duhet të shërbejë si kambanë alarmi për sigurimin e bizneseve në raste fatkeqësish natyrore e aksidentale, siç është standardi i Bashkimit Europian ku Shqipëria synon të anëtarësohet.

“Kjo ngjarje përbën një goditje të fortë për dhjetëra familje që siguronin jetesën përmes këtyre aktiviteteve, si dhe për sipërmarrjen e vogël, e cila është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë lokale. Njëkohësisht, kjo situatë duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për të gjitha bizneset, mbi domosdoshmërinë e sigurimit të aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të kenë mundësi reale për t’u rikuperuar pas fatkeqësive natyrore apo aksidentale, si zjarret dhe përmbytjet, me të cilat po përballet Shqipëria ditëve të fundit”, shkruan dhoma e tregtisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë