Drejtësia

Hodhën molotovë drejt kryeministrisë, lirohen nga qelia 4 protestuesit e opozitës

Gazeta Si – Gjykata e Apelit të Tiranës, ka liruar nga qelia 4 mbështetësit e opozitës, të cilët u mbajtën në paraburgim pas protestës që Partia Demokratike zhvilloi pasditen e së hënës.

Gjykata vendosi caktimin e masës “detyrim paraqitje”, ndërsa edhe prokuroria kishte kërkuar të njëjtën masë, pasi dyshohet e ata hodhën bomba molotov drejt kryeministrisë pas fjalimit të kreut të PD, Sali Berisha.

Të pranishëm në seancë ishin edhe disa prej deputetëve të PD, si Flamur Noka e Klevis Balliu, të cilët kërkonin lirimin e protestuesve.

Deputeti Flamur  Noka, komentoi lirimin e tyre në një prononcim për mediat, ku tha se qytetarët protestuan kundër korrupsionit, krimit dhe lidhjeve të tij me pushtetin.

“Këta qytetarë kanë dalë për të protestuar kundër korrupsionit qeveritar, krimit dhe lidhjeve të tij me pushtetin, Gys Agasit dhe karteleve, ndërsa në gjykatë akuzoheshin si destabilizues. Realiteti është se Edi Rama sot dhe banda e tij po bëjnë gjithçka për të destabilizuar Shqipërinë. Sot kam nxjerrë një provë me zë e figurë, që ndërkohë që qytetarët protestonin, Gysi lëvizte me makinën e kryeministrit”, – tha Noka.

Pasi Berisha përfundoi fjalimin e tij në protestën e 22 dhjetorit, drejt kryeministrisë u hodhën bomba molotov, të cilat dëmtuan edhe 3 policë, të cilët morën ndihmë mjekësore janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa atë mbrëmje u shoqëruan 10 persona, 6 prej të cilëve u liruan, ndërsa këtë të mërkurë u liruan edhe 4 të tjerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë