Gazeta Si – Rreth dy vite pas përfundimit të hetimeve nga SPAK për mjekun Edvin Prifti, Gjykata e Posaçme vendosi këtë të mërkurë të kalojë çështjen në proces gjyqësor.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj Priftit akuzat, “korrupsion pasiv kryer në 7 raste”, “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”, “pastrim parash” dhe “fshehje të ardhurash”.
Sipas hetimeve, është ngritur dyshimi i arsyeshëm se Edvin Prifti në 7 raste ka marrë përfitim të parregullt në shuma monetare nga pacientët e operuar pranë Pavionit të Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Në një nga rastet, Prifti dyshohet se mori ryshfet për të operuar pa radhë nënën e një zyrtareje të Gjykatës së Krujës.
Prokurorët e SPAK pas rreth 5 vite hetimesh, thirrën mjekun dhe i komunikuan zyrtarisht akuzën. Prifti doli në përgjime në dosjen e ish-gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha, teksa fliste me një nga punonjësit e gjykatës.
Sipas përgjimeve, Prifti dyshohet se mori ryshfet për të operuara pa radhë nënën e ish-kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi.
Më herët, SPAK po ashtu i ka bllokuar edhe disa llogari bankare, në të cilat u konstuan shuma të mëdha parash dhe euro. Pavarësisht se ai ka bërë një betejë të gjatë për zhbllokimin e tyre, kërkesat e mjekut janë rrëzuar nga gjykatat.
Në shtëpinë dhe zyrën e mjekut, me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, u gjetën në total 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë kryer një hetim të thelluar për pasuritë e kardiokirurgut Priftit dhe subjekteve tregtare të krijuara prej tij.
Dyshohet se mjeku nëpërmjet disa faturave fiktive ka krijuar një skemë për të shmangur detyrimet tatimore.
Nga verifikimet e llogarive bankare të Edvin Priftit apo personave fizik të regjistruar në emër të tij, dyshohet se mjeku kryente depozitime cash në llogari bankare të hapura në banka të ndryshme të nivelit të dytë.
E vetmja betejë që ka fituar Edvin Prifti me drejtësinë pas gati 5 vitesh, lidhet me të drejtën për të ushtruar profesionin e tij të kardiokirurgut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




