Drejtësia

‘Sterilizimi’, Beqaj ironizon PS: Zgjodhën Avokat të Popullit atë që më kallëzoi

Gazeta Si – Në gjyqin e radhës për çështjen “Sterilizimi”, Ilir Beqaj kërkoi më shumë kohë që të dëgjonte audiot e seancave për të cilat kërkoi t’i krijoheshin kushtet në burg.

Ish-ministri i Shëndetësisë, gjithashtu kërkoi edhe kompjuter e printer në qeli për të përgatitur mbrojtjen e tij.

Por gjatë seancës, Beqaj nuk ngurroi të ironizonte Partinë Socialiste dhe Endri Shabanin për zgjedhjen e këtij të fundit si Avokat i Popullit.

Beqaj tha se nuk i vjen habi nga fakti që PS votoi Shabanin për këtë post, edhe pse është ai njeriu që ka dorëzuar kallëzimin në SPAK për koncesionin e “Sterilizimit”.

“Kallëzuesi im është tani Avokat Populli. Ai duhet të jetë zëri i qytetarëve. Nuk më bën çudi që PS ka votuar për Avokat Populli atë që ka kallëzuar projektet e partisë”,- mësohet të jetë shprehur Beqaj.

Sipas Beqajt, Shabani ka bërë deklarime publike për të. “Ai është lumturuar pse jam në pranga. Ka thënë që e dinte se çështja ishte pushuar, por bëri kallëzimin. Ata që e zgjodhën, e dinë vetë. Unë personalisht me të, do përballem këtu në proces. Ajo që më habiti, nuk ishte vota. Ishte puthja. Jo-njerëzore para atyre deputetëve. Deputetë që kanë 4 muaj në Parlament dhe deputetë që kanë aty 20 vjet. Të gjithë njësoj u ndezën nga puthja. Pasuan duartrokitje ngazëlluese, të sinkronizuara, me intensitet sikur cili ligj i rëndësishëm të ishte miratuar. Ose ndoshta këta 18 muaj paskam humbur unë sensin e realitetit”, tha Beqaj i cili më pas u ndërpre nga gjykata për të mos vijuar më tej për shkak se deklarimet nuk kishin lidhje me procesin. Ndërkohë, seanca e radhës u shty më 15 janar.

Ilir Beqaj po gjykohet veç, ndërsa tetë të tjerë, ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmeni Ilir Rrapaj, Marsela Serjani, Saimir Kadiu, Petref Mersini, Arben Gjata, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi, u gjykuan me procedurë të shkurtuar.

Ndërsa Beqaj po bën gjykim të zakonshëm, procesi ndaj tij ka ngecur tek kërkesa për të lexuar dosjet dhe provat e SPAK.

Për “Sterilizimin”, ish-ministri kishte masën e “detyrimit me paraqitje”, ndërkohë që ai përfundoi nën “arrest me burg” për një dosje të dytë, atë të SASPAK, në dyshimet pë vjedhjen e fondeve të BE.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë