Analize

Sondazhi/ Aleatët e SHBA: Trump më shumë krijon probleme sesa i zgjidh!

Nga Gazeta ‘Si’- “Të pabesueshme! Krijojnë më shumë probleme sesa zgjidhje. Një forcë negative në skenën botërore.”

Kështu i shohin Shtetet e Bashkuara një pjesë e madhe e aleatëve të saj më të afërt, sipas një sondazhi të ri, ndërsa presidenti Donald Trump po ndjek një riformatim të gjerë të politikës së jashtme amerikane.

Shumica relative në Gjermani dhe Francë — si dhe shumica e kanadezëve — thonë se SHBA është një forcë negative në nivel global, sipas sondazhit të ri ndërkombëtar POLITICO–Public First. Qëndrimet në Mbretërinë e Bashkuar janë më të përziera, por më shumë se një e treta e të anketuarve ndajnë të njëjtin vlerësim pesimist.

Pothuajse shumica në të katër vendet thonë gjithashtu se SHBA tenton të krijojë probleme për vendet e tjera, në vend që t’i zgjidhë ato.

Këto gjetje ofrojnë një pasqyrë se si po perceptohet riformësimi i politikës së jashtme amerikane nga Trump — përfshirë një axhendë të gjerë tregtare, retorikë të ashpër ndaj aleatëve tradicionalë dhe një ripozicionim ushtarak — te disa nga aleatët më të afërt të Uashingtonit.

Kur u pyetën nëse SHBA i mbështet aleatët e saj në mbarë botën apo i sfidon ata, shumica e kanadezëve thanë këtë të fundit, ashtu si edhe pak më pak se gjysma e të anketuarve në Gjermani dhe Francë. Në Mbretërinë e Bashkuar, rreth 4 në 10 thonë se SHBA i sfidon, dhe jo i mbështet, aleatët e saj; më shumë se një e treta thonë se nuk mund t’i besohet në një krizë; pothuajse gjysma thonë se krijon probleme për vendet e tjera; dhe 35 për qind thonë se SHBA është një forcë negative në përgjithësi.

Trump ka mjegulluar vijat tradicionale të aleancave globale gjatë vitit të tij të parë pas rikthimit në detyrë, veçanërisht në Kanada dhe Europë.

Në një intervistë të fundit për POLITICO, ai e quajti Europën një grup kombesh “në kalbëzim”, të udhëhequra nga njerëz “të dobët”, ndërsa Strategjia e tij Kombëtare e Sigurisë argumentonte se kontinenti ka humbur “identitetet kombëtare dhe vetëbesimin”.

Në kontrast, strategjia përdori një gjuhë më pak të ashpër për Rusinë — edhe pse aleatët europianë të SHBA-së po përgatiten për atë që liderët e kanë quajtur një “luftë hibride” me Moskën.

Sekretari i Shtetit Marco Rubio mbrojti qasjen e administratës, kur u pyet për kritikat europiane, duke thënë se aleanca transatlantike mbetet e rrënjosur në vlera të përbashkëta “civilizuese”.

“Unë mendoj se në thelb të këtyre marrëdhënieve speciale që kemi qëndron fakti se kemi histori të përbashkët, vlera të përbashkëta, parime të përbashkëta civilizuese, për të cilat nuk duhet të kërkojmë falje,” tha Rubio në një konferencë javën e kaluar.

Ky artikull është pjesë e një projekti të vazhdueshëm të POLITICO-s dhe Public First, një kompani e pavarur sondazhesh me seli në Londër, për të matur opinionin publik në një gamë të gjerë fushash politike.

Ndërsa Trump trondit marrëdhënie të kahershme, skepticizmi mes liderëve aleatë mund të jetë duke u reflektuar edhe në opinionin publik, tha Mattheë Kroenig, zëvendëspresident dhe drejtor i lartë në Qendrën Scoëcroft për Strategji dhe Siguri pranë Atlantic Council.

“Opinioni publik në demokraci shpesh pasqyron opinionin e elitave,” tha ai.

“Ajo që ndoshta po shihni është se politikanë në këto vende po shprehin skepticizëm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe administratës Trump, dhe kjo po reflektohet në sondazhet e opinionit publik.”

Kjo dinamikë po shfaqet në mbarë Europën dhe Kanadanë, teksa liderët përpiqen të ruajnë marrëdhënie gjithnjë e më të tendosura.

Në Gjermani, pasiguria mbi mbështetjen ushtarake amerikane për Ukrainën, pikëpyetjet mbi angazhimin e Uashingtonit ndaj NATO-s dhe lufta e tarifave e Trump-it kanë shtuar urgjencën që kancelari Friedrich Merz të shkojë përtej kufijve tradicionalë të vendit për shpenzimet e mbrojtjes dhe politikat ekonomike. Javë para marrjes së detyrës, Merz siguroi një reformë historike të shpenzimeve, që çliroi qindra miliarda euro për investime në mbrojtje dhe infrastrukturë, pas vitesh kursimesh të vetëimponuara.

Në Francë, ku skepticizmi ndaj SHBA-së ka qenë prej kohësh i thellë, presidenti Emmanuel Macron ka ndjekur diplomaci personale me Trump-in, duke përdorur njëkohësisht paparashikueshmërinë e tij për të forcuar argumentet për një autonomi strategjike më të madhe europiane.

“Në dorëzosh sovranitetin tënd një fuqie tjetër është një gabim — De Gaulle nuk ka thënë kurrë diçka tjetër,” i tha POLITICO-s një oficer i lartë ushtarak francez, duke kërkuar anonimitet.

Një zyrtar tjetër i mbrojtjes tha se Strategjia Kombëtare e Sigurisë e Trump-it ka rritur “ndërgjegjësimin se diçka nuk shkon”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Trump mbetet figurë polarizuese, por kryeministri Keir Starmer ka shmangur kryesisht përplasjet publike. Prioritetet e tij përfshijnë finalizimin e një marrëveshjeje tregtare SHBA–MB dhe koordinimin e një përgjigjeje europiane ndaj përpjekjeve të Trump-it për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë — pa zemëruar Shtëpinë e Bardhë, një ekuilibër delikat që shumë liderë aleatë po përpiqen të mbajnë.

Kanadaja, ndërkohë, ka përjetuar përkeqësimin më të madh të marrëdhënieve, të cilat janë acaruar nga një luftë tregtare e ashpër dhe retorika periodike e Trump-it mbi aneksimin.

Amerikanët, në përgjithësi, ende e shohin vendin e tyre më pozitivisht sesa aleatët. Por demokratët shfaqin qëndrime shumë më negative që nga rikthimi i Trump-it në detyrë.

Pothuajse gjysma e votuesve që mbështetën Kamala Harris-in thonë se SHBA është një forcë negative në botë, krahasuar me vetëm 13 për qind të votuesve të Trump-it. Tre në katër votues të Trump-it thonë se SHBA është një forcë pozitive globale.

Burimi: Politico/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë