Këngëtari dhe kitaristi i njohur britanik Chris Rea ka ndërruar jetë, sipas një deklarate të bërë nga familja e tij. Artisti, i famshëm për këngë ikonike si Driving Home For Christmas dhe On the Beach, u shua në moshën 74-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër.

Në një deklaratë për Press Association, familja e tij tha se Rea ndërroi jetë më herët gjatë ditës në spital. Një njoftim zyrtar në emër të bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve u shpërnda për mediat pasditen e sotme.
Me një karrierë e gjatë dhe e suksesshme Chris Rea ishte një nga figurat më të veçanta të muzikës britanike, i njohur për zërin e tij të thellë, stilin blues-rock dhe kitarën karakteristike me slide. Karriera e tij muzikore zgjati më shumë se katër dekada, gjatë të cilave ai publikoi mbi 20 albume në studio dhe shiti miliona kopje në mbarë botën.

Ai arriti sukses të madh në vitet ’80 dhe ’90 me albume si On the Beach (1986), The Road to Hell (1989) dhe Auberge (1991), duke u bërë një emër i qëndrueshëm në skenën ndërkombëtare. Kënga Driving Home For Christmas mbetet edhe sot një nga himnet më të dashura të festave të fundvitit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë.
Pavarësisht problemeve serioze shëndetësore gjatë viteve, Chris Rea vazhdoi të krijonte dhe të performonte, duke fituar respekt për këmbënguljen dhe pasionin e tij për muzikën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




