Gazeta Si – Është shtyrë për në datën 12 janar, seanca e radhës për dosjen Partizani, në ngarkim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre personave të tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje.
Në seancën e kësaj të hëne, 22 dhjetor, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, avokatët mbrojtës të Berishës bënë parashtrimet e tyre, duke pretenduar se nuk ekzistojnë faktet penale që e ngarkojnë kryetarin e Partisë Demokratike me akuzën e korrupsionit pasiv.
Mbrojtja e Berishës përfaqësohet nga dy avokatët, Klodiana Gjyzari dhe Genc Gjokutaj. “SPAK si në aktet e formulimit të akuzës nuk ka parashtruar fakte të qarta, çfarë ka bërë Berisha, cila është pasoja, nuk ka sjellë asnjë provë dhe veprim konkret se çfarë ka bërë Sali Berisha. Gjatë këtij procesi do provojmë se ndjekja penale është kryer për qëllime politike duke cënuar pluralizmin në Shqipëri”, tha Gjyzari.
Sali Berisha po gjykohet për veprën penale të “korrupsionit pasiv”, ndërsa çështja kaloi për gjykim pas rreth 7 muajsh seanca paraprake.
Ishte gjyqtarja Flojera Davishi, e cila vendosi të nisë gjyqin për ish-kryeministrin, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, biznesmenin Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja e Andia Pustinën.
Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv dhe pastrim parash”. Të njëjtat akuza janë edhe për biznesmenin Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja e Andia Pustina akuzohen për “pastrim parash”.
SPAK e akuzon Berishën se gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




