Nga Gazeta ‘Si’- Prej orës 10:30 në Kryesinë e Kuvendit po mbahet me dyer të mbyllura mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku do të shqyrtohet kërkesa e SPAK për autorizim për arrestimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Partia Socialiste nuk pranoi që mbledhja e Këshillit të Mandateve të zhvillohet e hapur për mediat.
Kërkesa për të zhvilluar një mbledhje të hapur erdhi nga Partia Demokratike.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazmend Bardhi, kërkoi që mbledhja të jetë e hapur për median dhe publikun, si dhe të marrin pjesë të gjithë deputetët. Gjithashtu të vihen në dispozicion provat, pasi deri tani nuk janë vënë.
Kërkesa e Bardhit u kundërshtua nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, me argumentin se është sekret hetimor dhe në mbledhje duhet të jenë vetëm anëtarë e Këshillit. Gjithashtu sipas Peleshit edhe seanca duhet të jetë e mbyllur.
Në Kuvend kanë mbërritur dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, të shoqëruar edhe nga kreu i ri i institucionit, Klodian Braho, i cili është në ditën e parë të mandatit të tij si drejtues.
Ndërsa zëvendëskryeministrja Balluku nuk është e pranishme, aty ndodhet vetëm përfaqësuesi i saj ligjor, Ardian Kalia.
Në relacionin zyrtar dërguar Kuvendit, SPAK rendit arsyet që, sipas tij, e bëjnë të nevojshëm heqjen e imunitetit të Ballukut. Prokuroria pretendon se ajo ka ndërhyrë në manipulimin e 12 procedurave tenderuese. Sipas SPAK, ekziston rreziku që, për shkak të pozitës dhe profilit të saj, Balluku të kryejë veprime penale të tjera.
Rregullorja e Kuvendit nuk përcakton një afat të saktë për përfundimin e shqyrtimit nga Këshilli, por pas mbledhjes së fundit, ka maksimumi dy javë për hartimin e raportit përfundimtar. Ky raport duhet më pas të votohet në seancën plenare më të afërt. Ligji parashikon gjithashtu një afat tre mujor, brenda të cilit, nëse nuk merret vendim, kërkesa e prokurorisë bie automatikisht.
Një ditë më parë, Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit për Ballukun. Ndërkohë, nuk u shqyrtua ankesa për pezullimin e saj nga detyra, për t’i lënë kohë Gjykatës Kushtetuese të shprehet mbi ankimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me GJKKO-në. Kushtetuesja vendosi rikthimin e Ballukut në detyrë, deri në vendimmarrjen përfundimtare mbi kërkesën e qeverisë.
Hetimet ndaj Ballukut lidhen me disa procedura infrastrukturore. Ajo është e pandehur për shkelje në tenderi për Tunelin e Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit është organi parlamentar që shqyrton kërkesat e prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë me mandat parlamentar. Procedura përfshin dëgjesa, raportim dhe më pas votim në seancë plenare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




