Gazeta Si – SPAK ka lëshuar 8 masa sigurie për hetimet në lidhje me abuzimin e disa tenderëve nga AKSHI ((Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit), ku figurojnë zyrtarë shtetërorë, si drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe biznesmenët, Ergys Agasi e Ermal Beqiraj, të shpallur në kërkim.
Sipas SPAK, ata akuzohen për veprat penale, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal” si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Gjithashtu, masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive, të cilët me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë favorizuar kompani të caktuara dhe kanë ushtruar presion ndaj pjesëmarrësve të tjerë për të hequr dorë nga ankimet.
Deri tani janë u ekzekutuar 6 masa sigurie dhe në kërkim janë shpallur dy biznesmenët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
Këta dy të fundit nuk janë gjetur gjatë kontrollove, të cilat u ushtruan edhe në zonën rezidenciale të Kodrës së Diellit në Tiranë, ku dyshohet se banonin. Nuk dihet nëse biznesmenët janë në Shqipëri apo e kanë lënë vendin.
Agasi dhe Beqiraj dyshohet se kanë marrë peng një përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tenderë, që të heqin dorë nga ankimet për procedurat e tenderimit, “duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve”, – sqaron SPAK.
Sipas burimeve, kompanitë e favorizuara ishin të lidhura me biznesmenin në kërkim Ermal Beqiraj. Agasi dhe Beqiraj akuzohen për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë në tenderë, pastrim parash e grup i strukturuar kriminal
Në njoftimin publik për mediat, Prokuroria e Posaçme thotë se është ekzkutuar masa “arrest në shtëpi” për drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoreshën, Hava Delibashi.
Drejtoresha e AKSHI-t, Karçanaj, akuzohet për shkelje të barazisë në tendera publike e kryer në bashkëpunim dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal,
Në lidhje me këtë operacion, masë pezullim nga detyra është vendosur edhe për Erjon Ismailin, zëvendës drejtor i policisë së Tiranës. Ai akuzohet nga SPAK për “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, dhe grup i strukturuar kriminal”.
Ndalim jashtë vendit, u kërkua edhe për 3 administratorë të disa kompanive, të cilët siç SPAK thotë “kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione ndaj kompanive që s’ishin pjesë e procesit të tenderimit”.
Administratorët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta akuzohen për “pastrim të parave dhe grup i strukturuar kriminal”.
8 masat e firmosura nga GJKKO
“Arrest në burg”: Ergys Agasi
“Arrest në burg”: Ermal Beqiri
“Arrest në shtëpi”: Mirilda Karçanaj
“Arrest në shtëpi”: Hava Delibashi
Pezullim nga detyra dhe ndalim për të dalë jashtë vendit: Erion Ismaili
Ndalim për të dalë jashtë vendit: Andis Papa, Gëzim Hoxha, Rogers Rryta
Sa i takon dy biznesmenëve, Agasi dhe Beqiraj, ata janë të dy zotërues të disa shoqërive softuerësh dhe kompjuterike që dyshohet të kenë pasur marrëdhënie kontraktore me AKSHI-n.
Gjithë ky hetim ka lidhje me të paktën 12 procedura tenderuese të AKSHI-t, procedura me vlera në disa miliona euro secili, ku dyshohet se fituesit kanë qenë të paracaktuar”.
Hetimi për çështjen ka nisur rreth 1 vit më parë dhe këtë të martë janë dokumentuar e janë sekuestruar një sërë provash pas kontrolleve në banesa.
Karçanaj u paraqit në SPAK më 3 dhjetor, ku qëndroi rreth 3 orë. Atë ditë u raportua se ajo ka dhënë dëshmi sa i takon hetimeve për shkelje dhe keqpërdorime në 12 procedura tenderash brenda institucionit që ajo drejton.
Gjatë ditëve të fundit, hetuesit kanë thirrur dhe marrë në pyetjeve 25 zyrtarë të AKSHI-t, që janë kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




