Drejtësia

Kushtetuesja rikthen në detyrë Ballukun dhe kalon për shqyrtim ankimin e Ramës

Nga Gazeta ‘Si’– Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë Belinda Ballukun.

Kushtetuesja riktheu në detyrën e zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Ballukun, pas vendimit për të shqyrtuar ankimimin e bërë nga Kryeministri Edi Rama.

Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë për shqyrtim ankimin e kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së që pezulloi Belinda Ballukun nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.

Trupa e gjyqtarëve të Kushtetueses u nda 5 me 3, ndërsa tashmë pritet të caktohet edhe relatori i çështjes dhe se kur do të nisë shqyrtimi.

Qeveria kërkon të zgjidhet mosmarrëveshja e kompetencave e krijuar mes saj dhe GJKKO-së dhe shfuqizimin e vendimit për pezullimin nga detyra.

Parashikimi kushtetues, sipas të cilit anëtari i qeverisë gëzon imunitetin e deputetit, është pika kryesore mbi të cilin kryeministrit Edi Rama ka ndërtuar ankimin. Sipas ankimit, përsa kohë nuk mund të vendoset gjyqësisht pezullimi nga detyra i deputetit, kjo s’mund të ndodhë as për një ministër.

Në ankimim flitet për ndërhyrje të pastër në kompetencat e një tjetër pushteti, siç është ai ekzekutiv, dhe se GJKKO ka marrë attribute që nuk ia njeh Kushtetuta. Qeveria nuk e ka ankimuar në Kushtetuese masën tjetër të sigurisë për ndalimin e daljes jashtë shtetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë