Gazeta Si – Një javë para se t’i lërë stafetën Klodian Brahos, i cili u zgjodh kreu i ri i SPAK, Altin Dumani ka bërë një bilanc të 3 viteve të drejtimit të tij në Prokurorinë e Posaçme.
Gjatë një takimi me studentët në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ai tha se lufta kundër korrupsionit nuk duhet të jetë përgjegjësi vetëm e SPAK, por e të gjitha institucioneve të shtetit dhe e shoqërisë.
Sipas tij, korrupsioni, përveç strukturave në polici, ka prekur edhe prokurorinë dhe Dumani pranoi se institucioni që drejton ka hetuar edhe kolegë.
“Korrupsioni është një plagë që prek të gjitha institucionet. Do ta filloja nga Prokuroria. Fatkeqësisht na është dashur t’i vëmë përpara përgjegjësisë edhe kolegët tanë, madje mund të kemi pasur edhe marrëdhënie shoqërore. Por kemi zbatuar detyrën. Për të ardhur edhe te policia. Në kaq vite SPAK, numri i policëve të hetuar për korrupsion dhe vepra të tjera penale është mbi 70. Fatkeqësisht, në hetimet tona kemi konstatuar funksionarë të lartë policie, që madje janë deklaruar edhe fajtorë, si pjesë të organizatave kriminale apo grupeve të strukturuara kriminale. Nuk janë vetëm nga policia, por edhe nga gjyqësori. Kemi një çështje, kur një gjyqtari i është atribuuar edhe vepra penale si pjesëmarrje në organizatë kriminale”, u shpreh Dumani.
Pavarësisht se SPAK është një institucion i ri, Dumani tha se kjo prokurori speciale tashmë funksionon plotësisht dhe ka arritur të prodhojë rezultate të prekshme.
Gjatë fjalës së tij, Dumani ka pohuar ndër të tjera se presionet që kanë ardhur apo vijnë nga politika për çështje të caktuara, nuk kanë ndikuar në punën hetimore të Strukturës së Posaçme.
Po ashtu, Dumani ka bërë më dije se më shumë se 50% e çështjeve me fokus zyrtarë të lartë, kanë marë vendim të formës së prerë.
Dumani, ngre edhe njëherë zërin për mandatin 9-vjeçar të prokurorëve të posaçëm, për të cilët thotë se Shqipëria nuk e ka luksin t’i humbasë.
Ai kërkoi ndryshime legjislative që atyre t’u jepet mundësia e rikandidimit në përfundim të mandatit, duke theksuar se deri në vitin 2028 u mbaron mandati 12 prokurorëve të posaçëm dhe kjo do krijonte boshllëk në sistem.
“Në vitin 2028, mbaron mandati në të njëjtën kohë 8 ose 9 prokurorëve. Brenda viti 2026, i mbaron mandati dhe 4-5 të tjerëve. Pra, 11 apo 12 prokurë të posaçëm s’do jenë më pjesë e SPAK, do krijohet boshllëk shumë i madh. Për këta prokurorë është investuar shumë nga shteti shqiptar e partnerët ndërkombëtarë, për ngritjen profesionale, por edhe në drejtim të integritetit të tyre, – tha ai. – Largimi i tyre do sillte anomali. Nuk e kemi luksin të largojmë prokurorë që janë profesionistë me integritet dhe e kanë treguar me punë. Ne nuk kemi kërkuar rinovim automatik mandati, por mundësinë për të rikandiduar. Rikandimi është i hapur. Gjyqtarët e Posaçëm nuk kanë mandat”, nënvizoi Dumani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




