Gazeta Si – Ish-kryetari i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi është paraqitur mëngjesin e kësaj të premteje në SPAK, ku mësohet se do t’i komunikohet zgjatja e hetimeve lidhur me një çështje për të cilën është marrë i pandehur.
Prokuroria po pret një shtesë akti ekspertimi, ndaj ka vendosur të zgjasë sërish hetimet. Roshi, i cili rikthehet në SPAK për herë të tretë, është nën akuzë për shpërdorim detyre pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për parregullsi në tenderat gjatë periudhës së tij në krye të Bashkisë së Kavajës.
Dëmi ekonomik prej 33 milionë lekësh lidhur me tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e rrugëve të ndryshme.
Në dy raste, KLSH e akuzoi Bashkinë e Kavajës se ka ndjekur standard të dyfishtë në vlerësimin e pjesmarrësve në tenderë, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët.
Për 3 tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët është skualifikuar padrejtësisht si rezultat i llogaritjes së gabuar të ofertës.
Çështja shkoi më pas në Prokurorinë e Durrësit e cila kërkoi ta mbyllte, por një vendim i GJKKO vitin e kaluar urdhëroi hetimin e dosjes nga SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



