Gazeta Si – Joni Keta është zgjedhur në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit me unanimitet të plotë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Gjatë mbledhjes së kësaj të marte, të 11 anëtarët kanë votuar unanimisht pro kanidaturës së propozuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Keta do të mbajë postin e kreut të BKH për një mandat 5-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.
Vendimi vjen pas procesit të vlerësimit të kandidatëve nga SPAK, ku Joni Keta u konsiderua më i përshtatshmi për të udhëhequr BKH-në.
Në mbledhjen ku u mor vendimi i KLP-së morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe Bashkimit Europian, që ndoqën nga afër votimin final.
BKH ka qenë pa drejtues që nga 31 gushti, pas përfundimit të mandatit të Aida Hajnajt, dhe vakanca u zgjat për shkak të vonesave në verifikimin e kandidatëve.
Joni Keta, 37 vjeç ka mbajtur më parë detyra drejtuese brenda BKH-së, ndërsa pas largimit të Hajnajt, mbajti funksionin e kreut të komanduar të institucionit.
Kush është drejtuesi i ri i “FBI shqiptare”?
Keta shërbente më parë si zëvendësdrejtor i BKH-së dhe mori drejtimin e Byrosë që nga shtatori, pas përfundimit të mandatit të Aida Hajnajt.
Ai u përzgjedh si drejtuesi më i përshtatshëm pas një procesi rigoroz vlerësimi të kandidatëve, që përfshinte testime fizike, logjike dhe verifikimin e pasurisë.
Në garë për drejtimin e BKH-së ishin gjithsej 7 kandidatë, përfshirë prokurorë dhe zyrtarë të lartë të policisë.
BKH është institucioni që mbështet Prokurorinë e Posaçme (SPAK) në hetimet e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Oficerët e saj specialë garantojnë zbatimin e ligjit dhe zhvillojnë hetime cilësore për parandalimin, zbulimin dhe goditjen e këtyre veprave.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ka pasur një karrierë të gjatë në policinë gjyqësore, duke filluar nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda.
Në vitin 2024, ai u zgjodh si zëvendësdrejtues i BKH-së dhe njëkohësisht drejtues i komanduar deri në marrjen e detyrës si drejtues i plotë.
Ai është djali i prokurorit Hysen Keta, ish-drejtues i Prokurorisë së Përmetit dhe i profesoreshës Majlinda Keta, lektore në Departamentin e Filozofisë në Universitetin e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



