Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e pasurive të Elton Arkaxhiut, i cili rezulton të ketë qenë i dënuar më herët në Francë për trafik droge.
Në dhjetor të vitit të kaluar, prokuroria sekuestroi pasuritë e Arkaxhiut dhe të familjarëve të tij me pretendimin se të ardhurat ekonomike nuk i justifikonin dhe dyshohej se ishin siguruar falë veprimtarisë kriminale të tij.
Hetimet e prokurorisë, kanë nxjerrë në pak se përgjatë periudhës 2005-2010, kohë kur janë vendosur këto pasuri, Elton Arkaxhiu dhe vëllai i tij B.Arkaxhiu, kanë qenë në pamundësi financiare për të përballuar blerjen e lokalit me sipërfaqe 108 m².
Kjo për shkak se totali i të ardhurave të ligjshme (rroga, pensione, aktivitet tregtar, kredi, hua dhe të ardhura të tjera) është dukshëm më i ulët se totali i investimeve dhe shpenzimeve të konstatuara.
Gjithashtu për familjarin e tij, A.M., i cili sipas deklaratës noteriale pretendon pronësinë e lokalit me sipërfaqe 63 m², hetimet kanë zbuluar se në vitet 2005-2006 ai rezulton në pamundësi financiare dhe të ardhurat e mëvonshme nuk mund të justifikojnë burimin e pasurisë në kohën e blerjes.
I rëndësishëm për hetimin ka qenë edhe deklarimi i administratorit të shoqërisë “INA” sh.p.k., i cili ka sqaruar se në kryerjen e pagesave për të dy kontratat në të gjitha rastet ka qenë i pranishëm vetë B.Arkaxhiu, ndërsa nuk ka mundur të ndajë pjesëmarrjen e A.M. në këto pagesa.
Mungesa e mundësisë financiare të A.M., në momentin e krijimit të pasurisë, thekson organi i akuzës, së bashku me deklarimet se pagesat janë kryer faktikisht nga B. Akaxhiu, përbëjnë të dhëna të dobishme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se pasuria 63 m² nuk është në zotërim të A.M., por të Elton Arkaxhiut.
Për këto arsye, prokuroria ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të paluajtshme si më poshtë:
Pasuria e llojit truall, me sip.71/.52 m2 dhe ndërtesë 37.52 m2, me nr.5/255, zk.8380. Kjo pronë është blerë më datë 04.08.2010, sipas kontratës së shitblerjes kundrejt vleres 9 332 800 lek dhe aktualisht është ne pronësi te Elton Arkaxhiut;
Pasurinë e përfituar nga vëllai, B. Arkaxhiu, njësi shërbimi 108 m2, me vlerë 210.000 euro; dhe
Pasurinë e përfituar nga vëllai B.Arkaxhiu, njësi shërbimi 63 m2, me vlere 126.000 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



