Motosport

Verstappen mposhti Norris dhe Piastri-n për ‘pole position’ në Abu Dhabi

Nga Gazeta Si – Kampioni në fuqi, holandezi Max Verstappen siguroi “pole position” në Provat Zyrtare për Çmimin e Madh të Abu Dhabi-t. Piloti i Red Bull la pas rivalët e titullit Lando Norris dhe Oscar Piastri (McLaren).

Ai do të nisë garën vendimtare për titullin e Kampionit të Botës në Abu Dhabi nga vendi i parë, pasi vendosi një xhiro spektakolare në sesionin e 3 ku i bëri ballë sfidës së McLaren-it nga Lando Norris dhe Oscar Piastri-t.

Ndërsa australiani Piastri dhe britaniku Russell kishin kryesuar respektivisht në sesionin e 1 dhe të 2, Verstappen dha sinjalet e para në tentativat e para të sesionit të 3 ku holandezi që vendosi kohën më të shpejtë dhe më pas e përmirësoi atë me një xhiro të jashtëzakonshme prej 1’22”207.

Të dy makinat McLaren provuan të rrëmbenin kryesimin në përpjekjet e fundit, por Norris u “kënaq” me vendin e dytë, 0.201 sekonda më i ngadaltë. Ndërkohë, Piastri u rendit në vendin e tretë dhe pretendentët kryesorë përgatiten të luftojnë për titullin Botëror të dielën.

Russell e përfundoi sesionin i katërti për Mercedes, ndërsa Charles Leclerc siguroi vendin e pestë dhe Fernando Alonso të gjashtin për Aston Martin. Gabriel Bortoleto u paraqit shumë mirë për Kick Sauber duke u renditur i shtati.

Esteban Ocon (Haas) dhe pilotët e Racing Bulls Isack Hadjar dhe Yuki Tsunoda (japonezi në sesionin e fundit kualifikues për Red Bull),  plotësuan dhjetëshen e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë