Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dënuar me 32 vjet burg 4 anëtarë të një grupi kriminal.
Sipas GJKKO-së, të pandehurit Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj u gjykuan për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, ndërsa për disa prej tyre u njohën disa episode të veprimtarisë kriminale.
Gjykata vendosi që Florian Habilaj të dënohet fillimisht me një dënim të vetëm prej 15 vite burgim, i cili, pas uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, u reduktua në 10 vite burgim. Sipas vendimit, ai do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, raporton për Klan News, gazetarja Glidona Daci.
I pandehuri Armando Sulaj u dënua me një dënim të vetëm prej 9 vite burgim, të cilat, pas uljes ligjore u reduktuan në 6 vite burg. Ai do ta vuajë dënimin në burg të sigurisë së lartë.
Ndërkohë, Sabaudin Çelaj u dënua me një masë të vetme prej 15 vite burgim, që pas uljes me një të tretën përfundoi në 10 vite burgim, gjithashtu me vuajtje në një institucion të sigurisë së lartë.
Për të pandehurin Tigrens Mëzuraj, gjykata caktoi një dënim të vetëm prej 9 vite burgim, i cili pas reduktimit sipas nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale u ul në 6 vite burg, me vuajtje dënimi në burg të sigurisë së lartë.
Kreu i këtij grupi, Moisi Habilaj, është dënuar në mungesë me 10 vite burg për trafik dhe kultivim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai rezulton i dënuar edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg, por ndodhet në arrati prej disa vitesh, pasi theu masën e “arrestit në shtëpi” në Katania në banesën e një familjari të tij në Itali.
Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj, akuzohet se ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane 4 tonë kanabis në vite me një vlerë rreth 300 milionë euro.
Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga Prokuroria e Katanias, treguan se trafikantët e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të detit.
Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë shqiptare, të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, u evidentua edhe emri i Saimir Tahirit, por ish-ministri i Brendshëm u dënua vetëm për shpërdorim detyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



