Gazeta Si – SPAK ka akuzuar avokatët mbrojtës të Erion Veliajt lidhur me vonesat procedurale në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Tiranës dhe të pandehurve të tjerë.
Në një njoftim për shtyp, Prokuroria e Posaçme sqaron se procedurat ligjore janë ndjekur në mënyrë të rregullt dhe se aktet e dosjes i janë dorëzuar plotësisht palës mbrojtëse.
Prokuroria e Posaçme thekson se procesi gjyqësor është zvarritur për shkak të shtyrjes së 8 seancave, të cilat, sipas SPAK, janë shkaktuar nga mungesa të pajustifikuara të avokatëve mbrojtës dhe kërkesa të tyre të pabazuara.
SPAK nënvizon se mbrojtësit e Veliajt kanë marrë kopjen e plotë të akteve hetimore që në datën 24 korrik 2025, fakt i dokumentuar me procesverbal.
Po ashtu, në tetor 2025, avokati i zgjedhur ka kërkuar vetë një kopje të akteve shtesë, duke konfirmuar marrjen e materialeve të mëparshme.
SPAK thekson se çdo pretendim i kundërt, nuk i përket organit procedues dhe se institucioni garanton një proces gjyqësor të rregullt, transparent dhe të mbështetur në ligj.
“Prej këtij momenti dhe deri tani, janë shtyrë 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale”, – thotë SPAK.
Prokurorët e çështjes theksojnë se mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe në asnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.
Më herët, edhe seanca e kësaj të premteje ndaj Erion Veliajt u mbyll pa një vendim. Do të duhet të pritet 12 dhjetori, për një vendimmarrje të mundshme, nëse Gjykata e Posaçme do e kalojë për gjykim, do ia rikthejë SPAK-ut për plotësim, apo do e pushojë.
Para gjyqtares Etleva Dedja përfundoi mbrojtjen edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka. Ajo nuk ishte e pranishme në seancë, por përmes avokatit të saj kërkoi pushimin e çështjes, me argumentin se fakti i pretenduar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale.
Në rast se kjo kërkesë nuk pranohet, mbrojtja e ish-deputetes, kërkoi gjykimi i shkurtuar dhe moskopetencë të GJKKO për shkak se nuk është më deputete, pra kalim të çështjes ne gjykatën e zakonshme.
Ish-deputetja socialiste akuzohet nga SPAK se ka ndërhyrë për të penguar hetimet duke intimiduar dëshmitarë.
Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



