Drejtësia

Sot seanca paraprake për Erion Veliajn, pritet kalimi ose jo për gjykim

Nga Gazeta ‘Si’- Këtë të premte do të mbahet seanca e radhës paraprake në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në seancën e para tre ditëve në GJKKO, u pranua kërkesa e Veliajt, i cili ishte prezent në sallë, për t’u njohur me aktet hetimore.

“Deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60 mijë faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike. Ky nuk është një kufizim i rastësishëm: është një pamundësi objektive, e cila e bën formal çdo pretendim se ‘dosja më është vënë në dispozicion“, deklaroi Veliaj më 2 dhjetor.

Ai ngriti shqetësime edhe për mënyrën e trajtimit të tij, duke theksuar se vendosja në kafaz para trupit gjykues është një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë