Para

‘Shqipëria pa cash’, prezantohet nisma e qeverisë për të reduktuar paranë e thatë

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot nismën kombëtare “Cashless Albania 2030”.

Kjo nismë synon të rrisë përdorimin e pagesave digjitale nga qytetarët dhe bizneset. Kjo synohet të bëhet duke ndërtuar një infrastrukturë moderne, të sigurt dhe funksionale.

Qëllimi i qeverisë është që të rrisë pagesat digjitale, të formalizojë ekonominë dhe të afrohet me standardet europiane.

Ministrja Ibrahimaj bëri me dije edhe 12 masat që janë marrë për të realizuar këtë program që nga ulja e përdorimit të pagesave cash tek detyrimi i bizneseve për t’u pajisur me terminalë POS.

Në program parashikohet edhe edukimi financiar nëpërmjet një fushate kombëtare e ndërgjegjësimit dhe informimit për pagesat digjitale të quajtur “Shqipëria paguan digjital”.

Ministrja tha se brenda këtij muaji synohet ngritja e Këshillit për Pagesat Digjitale. Më konkretisht më 19 dhjetor parashikohet mbledhja e parë operative e Këshillit ku do dakordësohen masat dhe afatet.

Ndërsa nga Janari synohet fillimi i implementimit të masave. Po ashtu çdo një muaj do të organizohet një mbledhje mujore me grupin operativ për përditësimin e situatës aktuale dhe adresimin e sfidave ndërsa çdo tre muaj do të mblidhet grupi politik për të diskutuar vijimësinë e projektit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë