Nga Gazeta “Si”- Më 4 dhjetor 1920, në Stamboll erdhi në jetë historiani i njohur shqiptar, Kristo Frashëri. Familja e tij u riatdhesua në vitin 1927 dhe u vendos në Tiranë, ku Frashëri do të rritej e do të formëzohej intelektualisht. Pasi përfundoi shkollën e mesme, ai u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike të Universitetit të Firences në vitin 1940.
Gjatë pushtimit fashist, në vitin 1942 u internua nga administrata italiane dhe një vit më vonë iu bashkua radhëve partizane. Pas çlirimit, nga viti 1945 deri më 1952, punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar.
Studimet e larta në fushën e historisë dhe filologjisë i vijoi në Institutin e Lartë Pedagogjik, gjatë viteve 1951-1955. Nga viti 1953 deri në vitin 1999, Kristo Frashëri shërbeu në disa institucione të rëndësishme akademike të vendit, duke u angazhuar si punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, si edhe në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1997, ai u emërua zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1999.
Veprimtaria shkencore e Kristo Frashërit është ndër më të pasurat në historiografinë shqiptare, e shtrirë në të gjitha periudhat historike të vendit , nga Antikiteti deri në kohët moderne.
Ai ka botuar dhjetëra artikuj studimorë, referate, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, ku trajtoi figura, ngjarje dhe procese kyçe të historisë shqiptare.
Ndër kontributet e tij spikasin studimet për periudhën e Mesjetës së hershme, për rendin feudal në trojet shqiptare, për formacionet shtetërore mesjetare, si edhe për regjimin feudal osman në Shqipëri. Ai ka lënë gjurmë të thella edhe në studimin e Rilindjes Kombëtare, të Luftës së Vlorës, si dhe në trajtesat kushtuar figurave të Abdyl e Sami Frashërit, ndër të tjera.

Pas viteve ’90, Frashëri vijoi me intensitet të lartë punën e tij shkencore, duke botuar një seri veprash me ndikim të gjerë. Ndër to përmenden: “Lidhja e Prizrenit 1878-1881” (1997); “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri” (2006); “Skënderbeu në burimet dokumentare shqiptare në shek. XV” (2005); “Identiteti kombëtar i shqiptarëve” (2006); “Historiografia shqiptare në tranzicion” (2006); “Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, 28 Nëntor 1912” (2008); si edhe “Historia e qytetërimit shqiptar” (2008). Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të kl. I (1961, 1984) dhe është dekoruar me Urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”
Me këtë trashëgimi të gjerë, Kristo Frashëri mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historiografisë shqiptare dhe një prej studiuesve që i dha thellësi studimit të së kaluarës sonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



