Drejtësia

Tiranë, avokatja përfiton 1 mln euro me transferta të paligjshme në kompaninë ku punonte

Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për avokaten Elisabeta Dosti, e cila akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.

Dosti dyshohet se përfitoi deri në 1 milion euro në disfavor të aksionerëve të tjerë të firmës “Prodhim Veshje nr.02”, e cila kishte qenë më herët ndërmarrje shtetërore, por pas privatizimit u kaloi punonjësve të saj.

Hetimet kanë nisur në mars të këtij viti dhe sipas prokurorisë është provuar se në vitin 2013, Elisabeta Dosti duke shfrytëzuar postin e saj si përfaqësuese ligjore e shoqërisë (shoqëri e krijuar nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore, ku punonjësit e kësaj ndërmarrje janë bërë aksionerë të shoqërisë), nëpërmjet veprimeve të paligjshme i ka kaluar të gjitha pasuritë e paluajtshme të kësja firme tek shoqëria “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k, e cila në momentin e krijimit zotërohej 100% prej saj.

Për të fshehur gjurmët, Dosti ka zhvendosur një pjesë të pronësisë të kuotave të shoqërisë “Empire Investment Solution (EIS)” sh.p.k.

Më pas pasuritë e paluajtshme të transferuara në mënyrë të paligjshme, janë dhënë me qira duke realizuar të ardhura të larta.

Ndërkohë aksionerët e tjerë të shoqërisë janë përjashtuar nga përfitimi i pjesës që u takonte

“Transferimi i aseteve të pasurive nga njëra shoqëri tek tjera është kryer jo vetëm mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe në kundërshtim me ligjin por edhe nëpërmjet akteve të tjera të paligjshme përfshi edhe ato korruptive, me qëllimin e posaçëm të dëmtimit të interesave të aksionarëve në minorancë të shoqërisë “prodhim veshje nr.02”, të cilët ishin kryesisht pensionistë (ish punonjës të ndërmarrjes shtetërore NPV) dhe në vështirësi për të realizuar të drejtat e tyre”,- njofton Prokuroria e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë