Nga Gazeta ‘Si’- Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të planifikuara për 28 dhjetor në Kosovë, mund të mos jenë një rrugëdalje nga kriza e thellë dhe afatgjatë politike.
Analistët politike druhen se ekziston rreziku i të ashtuquajturit “skenar bullgar”, që do të nënkuptonte zgjedhje të shpeshta dhe të përsëritura pa formimin e një qeverie me shumicë të qëndrueshme.
Deri tani skenari njihet tashmë: Vetëvendosja doli forca e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, por me 48 ulëse në Kuvend nuk arriti të krijojë një shumicë funksionale. Opozita refuzoi çdo ofertë bashkëpunimi me Kurtin, ndërsa bllokimi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit paralizoi institucionet për muaj të tërë.

As votat e partive të pakicave nuk mjaftuan.
Pamundësia e partive më të mëdha politike të shqiptarëve të Kosovës për të arritur një konsensus mbi çështje të ndryshme kontribuoi në vonesa.
Analistët paralajmërojnë se zgjidhjet në tavolinë janë të pakta. Nëse kalkulimet e partive mbeten të pandryshuara, vendi mund të shkojë drejt një rrethi vicioz zgjedhjesh që minon funksionimin institucional, dialogun me Serbinë dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
Paralelja me Bullgarinë: pse frika është reale
“Skenari bullgar” nuk është thjesht një slogan politik. Ai përshkruan një histori të gjatë ku asnjë parti nuk arrin shumicën, koalicionet bëhen të pamundura, dhe vendi futet në një cikël zgjedhjesh çdo disa muaj. Paqartësia bëhet normë dhe stabiliteti luks.
Në Kosovë, skena politike aktuale i ngjan shumë këtij modeli: polarizim i ashpër, mungesë gatishmërie për kompromis, kalkulime partiake që peshojnë më shumë se interesat shtetërore, dhe një elektorat gjithnjë e më i lodhur nga retorika.
Cilët janë skenarët
Një prej skenarëve më të diskutuara nga ekspertët është formimi i një qeverie pakice, e cila do të zgjaste deri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2026. Ky opsion shihet si kompromisi më i realizueshëm në terrenin aktual: askush nuk merr përgjegjësinë e një koalicioni të plotë, por vendi shmang përkohësisht rrezikun e zgjedhjeve të njëpasnjëshme.
Megjithatë, edhe kjo zgjidhje ka kufijtë e saj. Qeveritë e pakicës janë përkufizim i paqëndrueshmërisë: varen nga humoret e ditës së opozitës, kanë vështirësi të miratojnë ligje kyçe, dhe përballen me presion të përhershëm për të dëshmuar legjitimitet.
Skenari i dytë – ai i një koalicioni të gjerë anti-VV – mbetet gjithashtu i pamundur në praktikë. Partitë opozitare mund të bashkohen për të kundërshtuar VV-në e Kurtit, por jo për të ndarë pushtetin mes tyre. Sa herë është tentuar kjo formulë, ajo ka çuar në qeveri jetëshkurtra.

Pra, a mund të shmanget skenari bullgar?
Vetëm nëse partitë politike tregojnë një gatishmëri për kompromis që deri tani ka munguar. Nëse zgjedhjet e dhjetorit prodhojnë një rezultat të ngjashëm me atë të shkurtit, kthesa e vetme do të vijë përmes marrëveshjeve të brishta brenda Kuvendit.
Zgjedhjet e reja mund të japin shpresën e një “reset-i”, por vetë procesi në fakt nuk garanton zgjidhje.
Për të shmangur rrugën bullgare, analistët mendojnë se Kosova ka nevojë për pjekuri politike më të madhe sesa ajo që ka treguar deri më tani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



