Nga Gazeta ‘Si’- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë këtë të martë në seancën e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO).
Gjatë fjalës para togave të zeza, Veliaj u shpreh se ende nuk është njohur me 60 mijë faqe të dosjes së tij. Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e tij për të marrë kohë për t’u njohur me aktet dhe caktoi të premten në orën 09:00, seancën ndaj tij.
Kryebashkiaku i Tiranës theksoi në sallë se ende nuk iu është vendosur në dispozicion një kopje fizike e akteve. Ai argumenton se USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të tij nuk mund t’i dorëzohet ligjërisht, për shkak se rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike.
“Është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore. Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës, e aq më pak ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.
Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur t’i ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para jush dhe më ka vendosur në izolim”, tha ai.
Gjithashtu, Veliaj kërkoi që të nxirrej nga kafazi prej xhami në GJKKO ku është vendosur gjatë seancës së sotme paraprake.
“Dua të jem shumë i qartë: Këto nuk janë ankesa personale. Këto janë standarde të sanksionuara ndërkombëtarisht, të cilat çdo gjykatë e një shteti anëtar të Këshillit të Evropës është e detyruar t’i respektojë. Unë jam këtu i thirrur nga ana Juaj, për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar. Jam këtu si një i qytetar i një vendi demokratik dhe të lirë që kërkon të drejtën e tij, por gjithashtu edhe si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i vetëdijshëm se ky proces prek jo vetëm lirinë time, por edhe parimet më themelore mbi të cilat ndërtohet drejtësia në këtë vend dhe për të cilat si një i votuar kam pjesën time të përgjegjësisë”, tha ai.
Në fund Veliaj shtroi tre kërkesa para gjykatësve:
“1. Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.
2. Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.
3. Shtyrjen e procedurës, derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.”
Veliaj ndodhet në paraburgim dhe përballet me disa akuza, si pastrim parash, mosdeklarim të pasurive, korrupsion pasiv në nëntë raste të veçanta, shpërdorim detyre dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Seanca është e rëndësishme, pasi përcakton vijimësinë e procedurës dhe mënyrën se si do të trajtohet çështja nga gjykata. Veliaj ndodhet në paraburgim, që nga shkurti i këtij viti.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese, vendosi në datë 3 nëntor 2025, që Veliaj mos të shkarkohet dhe të vijojë punën si kryebashkiak i Tiranës.
Në vendimin që u bë publik, gjykatësit u ndanë 5 me 3 në favor të kryebashkiakut Veliaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



