Drejtësia

Berisha në SPAK, akuza për Altin Dumanin: Në Portin e Durrësit, 4 vite pa u kapur drogë

Gazeta Si – Kreu i PD, Sali Berisha, u paraqit në SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, për çështjen “Partizani”, ku është i pandehur me akuzën e korrupsionit së bashku me dhëndrin e tij dhe disa persona të tjerë.

Pasi doli nga SPAK, Berisha lexoi mesazhin që la në Prokurorinë e Posaçme: “Siç është zakon, ky është shënimi që lashë në zyrën e Skap-it të partisë: Për Pojën e Spak-ut, Altin Troplini, armikut të egër të pluralizmit politik, gjobëvënësit ordiner të Skap-it të partisë, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral, avokatit mjeran të Irena Gjokës me 5 mbiemra. Ligji do të thotë fjalën e tij. Sali Berisha”, lexoi kryedemokrati para mediave.

Më pas, ai hodhi akuza kundër SPAK, ku tha se Porti i Durrësit përdoret nga “Troplinët”, të mbështetur nga policia, e cila në 4 vjet nuk ka kapur asnjë kg drogë.

“Aty nuk ishte pushim. Aty ishte Poja, kishte Elvis Doçin në zyrë. Ai është në kërkim, por ata aty po jepnin fitimin e ngarkesave të fundit. Por kishte aty edhe Kreshnik Farrukun, dy të fundit, të cilët i detyrohen Troplinit lirinë ku janë dhe fshehjen e mandat-arresteve. Ju e morët vesh që operacioni i fundit kishte në epiqendër përsëri Troplinin, Elvis Doçin. Pra, ka 4 vite që në portin kryesor të vendit, që administrohet nga Troplinët, nuk kapet asnjë kg kokainë, ndërkohë që nga ky port nisin drejt Italisë dhe vendeve të tjera tonelata dhe tonelata. Javën e kaluar, operacioni në Breshia, që kishte në epiqendër Elvis Doçin, rezultoi se kishin nisur nga Durrësi 1.3 ton kokainë”, – vijoi Berisha.

Berisha sulmoi edhe gjyqtaren e GJKKO-së, Irena Gjoka, për të cilën thekon se duhet të japë dorëheqjen: “Troplini mendon Gjokën, vetëm një si Altin Troplini mund të bëjë një gjë të tillë, të pranojë një delinkuente si Irena Gjoka, duke e ditur se diskrediton çdo ditë gjyqtarin, prokurorin, por duke qenë peng që të dy, nuk kanë interesa të tjera, përveç interesave të tyre personale. Pra, prokuror, Altin Troplini është shndërruar në avokatin e shpërfytyruar të Irenës me 5 mbiemra”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë