Drejtësia

U arrestuan në Orosh pas 12 orë negociatash, dy të dyshuarit mohojnë akuzat për terrorizëm

Gazeta Si – Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Erzen Ukën dhe Julian Çumrakun, të arrestuar pak ditë më parë në Orosh, të dyshuar se po përgatisnin një sulm terrorist.

Avokati i Erzen Ukës, Roland Islami, është shprehur se arrestimi i klientit të tij është i paligjshëm pasi sipas tij, Uka nuk ka asnjë lidhje me armët, por në banesë ka shkuar, sepse e ka thirrur Julian Cumraku dhe disa shokë të tjerë.

Të njëjtën gjë ka pohuar dhe Erzen Uka në gjykatë. Sipas avokatit të tij, Erzen Uka është i dyshuar për armëmbajtje pa leje dhe për terrorizëm.

Ndërkohë Julian Cumraku në gjykatë ka deklaruar se armët janë të vjetra dhe se i kanë mbledhur nëpër fshat.

Dy të dyshuarit, u vetëdorëzuan pas më shumë se 12 orësh të rrethuar në një banesë në lagjen Orosh të fshatit Kryezi, Fushë Arrëz, të hënën e 24 nëntorit.

Policia e Pukës e kishte rrethuar banesën në fshatin Orosh, ku dyshoheshin se fshiheshin dhe më pas kërcënuan se do të qëllonin ndaj forcave të rendit, nëse afroheshin.

Në vendngjarje ishin të pranishëm njësitë e RENEA-s dhe forca të specializuara për ndërhyrje të situatave të rrezikshme.

Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror.

Dorëzimi u negociua nga ana e vëllait të njërit prej të dyshuarve, e cila ka ndërmjetësuar për të shmangur përshkallëzimin e dhunës. Pas dorëzimit, efektivët kanë hyrë në banesë për kontroll me qen, për të kontrolluar për armë apo eksplozivë.

Forcat speciale sekuestruan në cilësinë e provave materiale 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” ISIS, i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse dhe dy gëzhoja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë