Gazeta Si – Avokatët mbrojtës të Erion Veliajt kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë të kryebashkiakut të Tiranës për t’u liruar nga qelia e paraburgimit, ku mbahet prej 10 shkurtit të këtij viti me akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Burime paraprake, bëjnë me dije se në kërkesën e dorëzuar më 25 nëntor, avokatët kërkojnë që vendimet e Gjykatës së Posaçme të shpallen antikushtetuese me arsyetimin se janë “jo proporcionale”.
Ndër arsyetimet e dhëna, thuhet se edhe raporti i Komisionit Europian përmend rrethanat përse një kryebashkiak apo përfaqësues i pushtetit lokal nuk mund të prangoset.
Më herët, Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë Erion Veliajn me vendimin e marrë më datë 3 nëntor, ku thuhej se vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak ishte i kundraligjshëm për faktin se atij nuk iu dha mundësia që të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak, ku u votua me shumicë votash për ta shkarkuar.
Vetë kryeministri Edi Rama pas vendimit me anë të të cilit GJK e riktheu në detyrë Veliajn tha se tashmë Gjykata duhet ta lirojë kryebashkiakun kur ai t’u drejtohet me kërkesë për rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt të këtij viti nga SPAK në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe pastrim parash. Në dosjen ndaj tij janë në total 29 të pandehur ku krahas kryebashkiakut të Tiranës është edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa dhe disa përfaqësues të kompanive private dhe organizatave jofitimrurëse.
Ndaj Veliajt janë ngritur akuzat korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Aktualisht çështja ndaj tij është në seancë paraprake dhe pritet të vendoset nëse gjykata do të pranojë çështjen ndaj tij për gjykim të plotë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



