Drejtësia

Plarent Dervishaj heq dorë nga avokatët dhe braktis gjyqin: Dua të jetë me dyer të mbyllura

Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme, u mbajt këtë të premte seanca e radhës ndaj ish-anëtarit të bandës së Durrësit, Plarent Dervishaj i cili akuzohet për organizimin e atentatit më 1 nëntor 2019 në Durrës ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku mbeti i vdekur shoferi i tij, Andi Maloku.

Dervishaj ka kërkuar që seancat gjyqësore të tij të mbahen me dyer të mbyllura me pretendimin se shumë prej deklaratave të dëshmitarëve janë shtrembëruar në publikimet e mediave.

Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë të dorëzuar nga avokatët e të pandehurit. Në këtë moment, Dervishaj u ka hequr avokatëve të drejtën për ta përfaqësuar në gjyq dhe është larguar nga salla.

“Bëjeni vetë gjyqin, prokurorin ja ku e keni. Nuk do të marrë më pjesë në gjyq”,- mësohet të jetë shprehur Dervishaj.

Ndërsa prokurori i SPAK, Adnan Xholi ka kërkuar që seanca të vijojë duke u shprehur se është e drejta e të pandehurit që të jetë ose jo i pranishëm në sallën e gjyqit.

Po ashtu, gjykata vendosi pezullimin e kohës së paraburgimit. Për B.H., R.Rr. dhe E.S., gjykata vendosi shoqërimin e detyrueshëm të të pandehurve.

Seanca e radhës u caktua për datën 5 dhjetor, ora 12:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë