Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit liroi nga qelia me masë “arresti në shtëpi” Eria Agon, ish të dashurën e Safet Bajrit, e cila u arrestua disa muaj më parë si përkrahëse e autorëve të krimit në vrasjen e Fatbardh Licit në vitin 2018.
Ajo rezulton sipas SPAK, të ketë shoqëruar me makinë autorët e dyshuar të vrasjes, Safet Bajrin e Astmer Bilalin.
E reja ka mohuar provat e prokurorisë, por SPAK thotë se e ka dokumentar përmes përgjimeve dhe pamjeve filmike.
Megjithatë, gjykata nuk ka pranuar mbrojtjen e saj dhe ka vendosur të vazhdojë masën e sigurisë ndaj saj, duke e transferuar në arrest shtëpie.
Ajo u arrestua më 26 shkurt të këtij viti dhe aktualisht po mbahet në burgun e grave në Pogradec. Për të njëjtën çështje, pra vrasjen e Fatbardh Licit, krim i ndodhur në vitin 2018, ndodhen në qeli edhe Behar Bajri dhe Astmer Bilali.
Safet Bajri u arrestua më datë 21 shkurt 2025 nga forcat RENEA në Shkodër. Në njoftimin zyrtar SPAK deklaroi se ka mbledhur prova se ai së bashku me Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin, planifikuan, organizuan dhe kryen vrasjen e Licit, të afërmin e Ibrahim Licit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Fatbardh Lici u ekzekutua për hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana. Sipas SPAK për këtë krim, Behar Bajri akuzonte si autor Ibrahim Licin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



