Drejtësia

SPAK rrëzon kërkesën e Këshillit Bashkiak, nuk aprovon lejen për Erion Veliajn

Gazeta Si – SPAK nuk e ka pranuar kërkesën e bërë nga këshilltarët bashkiakë të Tiranës, që kryetari Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, të jetë pjesë e mbledhjes ku do të diskutohet buxheti i kryeqytetit për vitin 2026.

Kërkesa, e nënshkruar nga 22 këshilltarë të mazhorancës, argumentonte se prania e kryebashkiakut është e domosdoshme për prezantimin e dokumenteve buxhetore dhe raportimeve të institucionit.

Burime paraprake, bëjnë me dije se është vendosur kështu duke ndjekur të njëjtën praktikë si për rastin e Fredi Belerit, i cili pavarësisht se ishte i zgjedhur nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhje të këshillit bashkiak të Himarës.

Mbledhja është planifikuar të mbahet ditën e nesërme (e premte, 21 nëntor) në këshillin bashkiak të Tiranës.

Kërkesa për praninë e kryebashkiakut Veliaj, u bë nga vetë këshilltarët socialistë, të cilët votuan shkarkimin e tij me argumentin se nuk ishte paraqitur në punë për 3 muaj, pa pranuar që ta dëgjonin në seancë.

Veliaj u rikthye juridikisht në postin e kryebashkiakut të Tiranës, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij me votat e këshillit bashkiak, me argumentin se kryebashkiaku duhet të kishte qenë i pranishëm në mbledhje për të parashtruar pretendimet e veta.

SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim më 10 shtator 2025, duke ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre: Korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK. Pas arrestimit, Këshilli Bashkiak e shkarkoi nga detyra më 23 shtator, me 50 vota pro, ndërsa Këshilli i Ministrave e konfirmoi vendimin më 25 shtator.

Më pas, Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e shkarkimit si antikushtetues.

Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të tij, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli i Ministrave.

Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja shfuqizoi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë, të planifikuara për më 9 nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë