Ekspozite

Debati mbi instalacionin te Muzeu Kombëtar/ Blerta Kambo: Arti sensibilizon, nuk shëron

Nga Gazeta “SI”- Instalacioni “Dielli i Ditës së Dytë” i artistes Blerta Kambo, i vendosur mbi mozaikun monumental “Shqipëria”, ku figura e gruas me xhubletë rikontekstualizohet dhe zëvendësohet nga një portret tjetër pa flokë, ka ngjallur debate në publik por dhe mes grupeve të ndryshme interesi.

Këngëtarja Eda Zari, në një postim në rrjetet sociale, ironizoi mbi instalacionin:

“Ne jemi bërë mjeshtra të aktit simbolik. Inaugurojmë mozaikë sensibilizues me gra qerose, sepse kjo na jep ndjesinë se bëmë diçka moral. Fakti brutal që një grua me diagnozë të rëndë, e varfër dhe pa akses të barabartë te barnat jetike, mbetet i pazgjidhur, duket se kemi ngatërruar mjetet me qëllimet” shkruan ajo

Ndër të tjerë, edhe Auron Tare ka shprehur shqetësimin se ndërhyrja në objekte të trashëgimisë për qëllime simbolike mund të krijojë precedent.

Por artistja Blerta Kambo, autorja e instalacionit në një prononcim për Gazetasi.al, thekson se është e vetëdijshme për gjendjen e keqe në Onkologjik, por si artiste nuk mund të ndërhyjë në këtë fushë:

“Jam në dijeni për situatën e tmerrshme në Onkologjik. Por unë nuk mund të bëj asgjë në këtë drejtim, sepse jam artiste. Mund të flas për ndërgjegjësimin dhe parandalimin. Kontrolli i hershëm dhe vetëkontrolli janë mënyra më efektive për të shpëtuar jetë; nëse kapet në kohë, shanset për mbijetesë janë deri në 90%.”

Kambo shpjegon se qëllimi i artit të saj është të sensibilizojë gratë për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit dhe për të luftuar stigmatizimin që shpesh e shoqëron sëmundjen:

“Dëshiroja të flisja për kancerin e gjirit si një dedikim për gratë që e kanë kaluar, humbur ose fituar këtë betejë. Nuk flas për dhimbjen e tyre, por për forcën e tyre. Momenti kur humbin flokët apo bëjnë kimioterapi krijon forcën më të madhe. Ky instalacion është një thirrje që ato të mos mbeten të vetmuara.”

Kambo ka dhe një përgjigje për ktritikët :

“Pseudopatriotët dhe pseudo-fetarët janë një rrezik, së bashku me gjuhën e urrejtjes që nxisin. Bëj thirrje për hetim ligjor mbi fondet e tyre. Do të ndjek rrugën ligjore, sepse kanë krijuar një histori perverse që dëmton përpjekjet e grave dhe cenon projektin origjinal.” – mbyll prononcimin artistja Blerta Kambo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë