Gazeta Si – Gjykata e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) ka shtyrë seancën paraprake për Erion Veliajn dhe të pandehurit e tjerë, duke caktuar datën e re më 2 dhjetor.
Shkak u bë, kërkesa nga avokatët e Veliajt, që të njihen me aktet e dosjes. Mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës, parashtroi kërkesën që klienti i tyre të njihet vetë me aktet dhe t’ia çojnë në burg.
Por prokurori i SPAK, Olsi Dado, replikoi: “Jeni njohur me aktet, kërkoni të gjykoheni dhe nuk vini në gjykim”.
Përmes avokatëve, Veliaj ka kërkuar edhe laptop në paraburgimin e Durrësit ku ndodhet prej 10 shkurtit 2025, për të lexuar aktet e dosjes së tij.
Në këtë dosje janë përfshirë 29 të pandehur, mes tyre kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, krahas disa përfaqësuesve të kompanive private dhe organizatave jofitimprurëse.
SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim më 10 shtator 2025, duke ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, mes tyre: Korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave, shpërdorim detyre, si dhe futje e sendeve të ndaluara në qeli.
Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste, si dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK. Pas arrestimit, Këshilli Bashkiak e shkarkoi nga detyra më 23 shtator, me 50 vota pro, ndërsa Këshilli i Ministrave e konfirmoi vendimin më 25 shtator.
Më pas, Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e shkarkimit si antikushtetues.
Më 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të tij, duke e shpallur të paligjshëm shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli i Ministrave.
Sipas gjykatës, Veliaj nuk ka kryer shkelje të rëndë, pasi mungesa e tij në detyrë lidhet me arrestimin dhe jo me neglizhencë apo abuzim.
Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja shfuqizoi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë, të planifikuara për më 9 nëntor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



