Gazeta Si – Gjykata e Posaçme nisi sot gjykimin ndaj ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për dosjen “Buka”, ku është marrë i pandehur për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” me dëm ekonomik 7 miliardë lekë për shtetin.
Në këtë seancë, Ahmetaj u përfaqësua nga avokati i tij, Henrik Ligori, i cili u përplas me prokurorin Elvin Gokaj, pasi ky i fundit u shpreh se SPAK po verifikon nëse ish-zyrtari ka transferuar shuma të mëdha paràsh drejt Austrisë.
Gjatë seancës, mësohet se Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar zyrtarisht në Zvicër kërkesën për ekstradimin e tij, i shpallur në kërkim për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ahmetaj ndodhet prej dy vjetësh në Zvicër dhe ka kërkuar azil politik.
Gjyqtarja e posaçme, Irena Gjoka, lexoi përgjigjet e zyrës së Interpol Tirana gjatë aeancës që u mbajt lidhur me parashtrimin e fakteve ndaj Ahmetajt për dosjen “Buka”, ku u vendos të vijojë gjykimi në mungesë për të.
Prokurori i çështjes, Elvin Gokaj, paraqiti kërkesën për gjykimin e ish-zyrtarit, duke sqaruar se procedimi është regjistruar në vitin 2022 pas kallëzimit të një qytetari lidhur me procesin e privatizimit të kompanisë Buka Sha.
Sipas SPAK, Ahmetaj ka firmosur një urdhër për privatizimin e shoqërisë, edhe pse kishte vendime gjykate që e ndalonin këtë veprim.
Prokurori i SPAK, Elvin Gjokaj lexoi kërkesën për gjykim dhe kërkoi që të merren në pyetje 14 persona si dëshmitarë, mes të cilëve edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani.
Më tej, prokurori tha se kishin rënë në gjurmë të një sasie te madhe parash, të dyshuara miliona euro, të transferuara jashtë vendit.
“Kemi rënë në kontakt me një shumë të madhe parash që janë transferuar nga Shqipëria në një vend të BE që po verifikohet”- u shpreh prokurori.
Ndërkohë, avokati Ligori tha se nëse është kështu, nuk ka përse prokurori të ngutej me mbylljen e hetimeve ndaj Ahmetajt dhe i kërkoi të paraqiste provat që ka.
Për këtë gjë, iu përgjigj prokurori Gokaj, i cili tha se ka pasur hetime të ndara për shkak të informacioneve të ardhura nga Austria.
Më herët, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, ka njoftuar se do të marrë në shqyrtim ankimin e bërë nga ish-ministri dhe partnerja e tij kundër kontrolleve në banesën e tyre.
Ahmetaj pretendon se kontrollet janë ushtruar në shkelje të nenit 73 të Kushtetutës, që parashikon se banesa e një deputeti kontrollohet vetëm me autorizim të Kuvendit.
Ndërkohë, vetë kreu i SPAK, Altin Dumani, ka deklaruar së fundmi se Ahmetaj mbetet person në kërkim ndërkombëtar, duke shtuar se “kushdo që dëshiron të marrë statusin e të penduarit dhe të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, është i mirëpritur”.
Përpos akuzës lidhur me dosjen “Buka”, Ahmetaj është duke u hetuar edhe për tre vepra penale të tjera penale, si “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”, në lidhje me dosjen e inceneratorëve.
Prej vitit 2023, ai është në arrati pasi nuk ndodhet në Shqipëri, ndërsa ka pohuar se të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij janë politike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



