Gazeta Si – Tre ditë pasi refuzoi të shkonte në SPAK për dosjen e “21 Janarit”, Sali Berisha u paraqit mëngjesin e kësaj të hëne në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku zbatoi masën “detyrim paraqitje” për aferën “Partizani”, i marrë si i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë.
Por njëkohësisht me paraqitjen e tij sot, Berishës i është dhënë edhe fletëthirrja për t’u paraqitur sërish në Prokurorinë e Posaçme për “21 janarin”.
Në një njoftim publik, bën me dije se Berisha ka nënshkruar urdhër-thirrje teksa zbatoi sot masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’.
Përveç SPAK-ut, që e konfirmoi lajmin me një njoftim zyrtar, këtë e bëri me dije para gazetarëve edhe kryedemokrati, duke thënë se do të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij, me shumë gjasë këtë të premte që vjen.
“Në fakt, ata që nuk më kanë ftuar mua, kanë pasur një hall, por tani në këtë hetim më ftuan dhe unë absolutisht do vij të dëshmoj gjithçka unë di… Se kur jam ftuar, këtë do e mësoni. Kini durim…”, tha Berisha pasi doli nga SPAK.
I pyetur nga gazetarët nëse është e premtja dita kur do të paraqitet në ambientet e SPAK për “21 Janarin”, ish-kryeministri la të nënkuptohej që po, por pa zbuluar orën. “Ja e sheh, ata njoftojnë përpara gazetarët, para se të më njoftojnë mua”, – shtoi ai.
Berisha iu drejtua mediave, duke theksuar se duhet të qëndrojnë fort ndaj këtyre akteve të turpshme. “Njoftim quhet kur një person njoftohet direkt. Nga data 3 deri sot, asnjë person s’më ka ardhur të më thotë orë dhe datë, të më dorëzojë një letër dhe asnjë person nuk rezulton të ketë marrë përsipër një gjë të tillë, – tha ai. – Unë kam dy posta elektronike, njëra është e imja dhe njëra është e Kuvendit, që unë nuk e përdor. Unë kam një numër telefoni që e njeh gjithë bota, marr SMS çdo ditë dhe aty nuk ka ardhur asgjë”, – shpjegoi kreu i PD.
Ai nuk kurseu sulmet as ndaj Altin Dumanit.
“Mbetet në historinë e turpit të Altin Troplinit, i cili për të zhurmuar aferën e tmerrshme të Edi Ramës dhe lubi ballukut, sajoi turpet, skenarin e turpshëm të ftesës sime në SKAP për t’u pyetur si njeri që ka dijeni për ’21 janarin’. Ftesa e parë e Altin Troplinit, sipas tij, mban datën 3 nëntor, pikërisht datën që isha në zyrat e SKAP-t, donte jo njoftimin tim, por donte që mercenarë, lakej të qeverisë në media të hapnin studiot televizive, jo me lubinë dhe Ramën dhe vjedhjet e tyre në Tunelin e Llogarasë, por se e ftuam, se ftuam, nuk erdhi”, – u shpreh Berisha.
I pyetur nëse ka ndonjë përgjegjësi për të dhënë shpjegime për atë që ka ndodhur pasi ishte kryeministër në atë kohë, ai tha.
“Për këtë çështje Berisha ka bërë deklaratë në darkën e asaj nate. Nuk është thirrur asnjëherë, as njëherë të vetme. Kanë biseduar me mua të huaj dhe nuk ka thirrur prokuroria e shtetit asnjëherë, sepse kanë patur frikë nga dëshmitë e mia, sepse ajo ishte demonstrata më e dhunshme…se PS kishte agjendë dhune. Cilido që e hap në sekuencat më minimale, sheh aty mijëra gurë duke vërshuar drejt mbrojtësve të ndërtesës, plumba në dritaret e ndërtesës, xhama të thyer e gurë, automjete që dua të thyejnë derën. Kjo ishte protesta më e dhunshme në vend dhe ka përcaktim ndërkombëtar që PS kishte agjendë dhune. Në rast se do të isha thirrur, absolutisht do të kisha shkuar. Unë jam unë, por janë ata që s’më kanë thirrur.”, tha Berisha.
Ndërkohë, Berisha lexoi mesazhin që i la kreut të SPAK, Altin Dumanit, ku u shpreh se kryeprokurori ka amnistuar krimin elektoral, duke e konsideruar një atentat në themel të rendit demokratik dhe pluralizmit.
“Altin Troplinit, Pojës së Skapit, krimi i tij antikushtetues, amnistia e krimit elektoral, përbën atentat në themel të rendit demokratik dhe pluralizmit dhe është faktor madhor në instalimin e narkoshtetit apo shtetit të Troplinëve, Farrukëve, Hajrëve, shërbëtor i të cilëve është Altin Troplini. Ky është shënimi që i lashë sot për të gjithë shqiptarët, por edhe për punonjësit e prokurorisë dhe BKH-së dhe të gjithë punonjësit e drejtësisë”, tha Berisha në fjalën e tij përpara Prokurorisë së Posaçme.
Kreu i PD është marrë i pandehur për korrupsion pasiv në dosjen “Partizani”, ku i pandehur është edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 persona të tjerë.
Berisha është i pandehur së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, dhe tre të tjerë. Dosja u çua për gjykim më 19 maj dhe akuzat ndaj Berishës lidhen me korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, me pretendimin se ai ka përdorur postin e kryeministrit për të miratuar ligje dhe vendime që i shërbenin interesave të Malltezit.
Nga ana tjetër, Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash, pasi SPAK pretendon se ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga një projekt ndërtimi, të favorizuar nga vendimet qeveritare të asaj kohe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



