Kosova

Kur Kosova nuk pati një plan ‘A’… si mund të ketë një plan ‘G’?!

Nga Megi Iskurti- Aritmetika parlamentare e rrëfen qartë: Glauk Konjufca nuk do arrijë dot pas katër ditësh që të krijojë qeverinë në Kosovë. 

Në pamje të parë, propozimi i tij nga VetëVendosja tingëllon si një zgjedhje politikisht korrekte: një figurë institucionale, e moderuar, jo polarizuese, me përvojë në Kuvend dhe krahu i djathtë i Albin Kurtit. 

Por realiteti politik në Kosovë, sidomos këto muajt e fundit, ka dëshmuar se është më kokëfortë se dëshirat.

Në ‘teatrin’ e politikës kosovare, të gjithë e dinë se Konjufca është veç regjisori i seancave dhe jo aktori kryesor i dramës së formimit të qeverisë. Figurat si ajo e tij, zakonisht mbajnë peshën e stabilitetit, por rrallë orekset e ambicieve ekzekutive.

Glauk Konjufca nuk ka peshën politike për të krijuar qeveri dhe ashtu si Albini, nuk i siguron dot 61 vota. Edhe njohësit e rrethanave politike thonë se mandatimi i tij është në fakt vetëm hapi i parë në një proces më të gjatë, jo një akt kushtetues në vetvete.

Për më tepër, kabineti që Konjufca pritet të ofrojë të mërkurën, do jetë i njëjtë me atë që ka propozuar më herët Kurti, gjë që nuk do sjellë kurrfarë rezultati të ri në votim.

Por edhe sikur përbërja të ndryshonte, votat nga opozita sërish do mungonin. Krerët e opozitës në Kosovë, i kanë vendosur qartë vijat e kuqe. 

Ata kanë qenë shumë të prerë kur deklaruan se nuk do votonin asnjë kandidat që vinte nga radhët e VetëVendosjes dhe vetë Konjufca e ka pranuar publikisht se është i vetëdijshëm që formimi i qeverisë nuk ndodh pa përfshirjen e partive opozitare.

VetëVendosja orvatet të ruajë sensin e mandatit të fituar dikur me 50%, duke pretenduar se “opozita po e pengon qeverisjen”. 

Nga ana tjetër, për opozitën, Kurti është kryeministri që nuk di të menaxhojë as shumicën, as dialogun, as institucionet.

Në një situtatë të tillë, jane diskutuar dy skenarë të mundshëm për të dalë nga ky qorrsokak:

Analistët politikë në tryezat e debateve kanë hedhur disa herë idenë për një qeveri teknike në mënyrë që Kosova të kapërcejë një krizë të mundshme të stabilitetit financiar. 

Arsyeja e vetme pse ky plan mund të realizohet është ajo ekonomike.

Nëse nuk financohet qeveria, rrezikohet që të mos miratohet buxheti, gjë që do çonte në implikime serioze. Kosova në fakt nuk ka në Kushtetutë asnjë model “qeverie teknike”.

Por nga ana tjetër një qeveri teknike kërkon një marrëveshje të gjerë mes palëve politike dhe marrëdhënia e Kurtit me opozitën nuk e lejon këtë luks.

Tek e tek, as VetëVendosja dhe as opozita nuk e duan këtë. 

VV do dukej si një parti që po dorëzon pushtetin ndërsa opozita nuk dëshiron të marrë një përgjegjësi para zgjedhjeve.

Pra, zgjedhje në fund të vitit?

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse Qeverinë nuk arrin ta bëjë as Konjufca, atëherë Vjosa Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Një datë që aludohet është 24 dhjetori. 

Se sa zgjedhjet e parakohshme mund të prodhojnë ndonjë ndryshim në numrat e partive politike në Kuvend nuk dihet, por është pak por e sigurt se vendi rrezikon të futet në krizë institucionale në rast se palët nuk shfaqin vullnet politik për bashkëpunim.

Dhe kjo, tani për tani duket krejt e pamundur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë