Drejtësia

SPAK merr të pandehur kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi, i ushtroi presion zgjedhësit që të mos votonte në 2023

Nga Gazeta Si- Prokuroria e Posaçme ka marrë të pandehur kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi.

Ndaj saj është ngritur akuza për “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike”.

Çështja lidhet me një hetim për vitin 2023 ku Bufi i ka kërkuar G.B, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.

Pas publikimit të një audio përgjimi të kryetares ku ajo shfaqet e revoltuar nga G.B, i cili ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i Kushteve të banimit për famijet e varfëra dhe të pafavorizuara”, u konstatua se pavarësisht se kushtet sociale dhe ekonomike të familjes së G.B. e favorizonin atë si përfitues, objekti për të cilin ishte kërkuar mbështetje, nuk ishte banesë ekzistuese, por një objekt i saponisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë. Pavarësisht këtyre rrethanave, rezulton se Bufi kishte dijeni për përfshirjen e tij në program.

Nga hetimi rezultoi se para takimit me Bufin, në banesën e G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre.

Më pas, G.B ka takuar në Bashki Bufin. 

SPAK shkruan se biseda është zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se G.B kishte kryer ndërtim pa leje. 

Ndër të tjera në këtë takim, Bufi i përmend atij faktin se i kishin dërguar mesazhe, ku ai i thoshte fitore kandidatit të opozitës.

Bufi me pretendimin për të “shpëtuar” G.B nga kjo situatë paligjshmërie, ku pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar: “që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapi gojë, të mos flasë as ai as familja e tij por të shikojë punën e tij, të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e 2023.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë