Motosport

Toyota promovon Oliver Solberg në sezonin e ardhshëm

Nga Gazeta Si – Toyota do të garojë me 5 makina në sezonin e ardhshëm të Kampionatit Botëror të Rally-t (WRC).

Kampioni i WRC2, Oliver Solberg, promovohet përkrah Elfyn Evans, Sébastien Ogier, Takamoto Katsuta dhe Sami Pajari.

Në këtë mëyrë 24-vjeçari suedez, që fitoi në debutim (GR Yaris Rally1) në “Rally Estonia” në Korrik do të zhvillojë edicionin e parë të plotë në nivelin më të lartë të sportit, bashkë me partnerin Elliott Edmondson.

Kjo do të thotë se kampionët e konstruktorëve të vitit 2025 do të kenë sërish një miks interesant të rinjsh dhe kolegësh me përvojë, duke synuar më shumë tituj në vitin 2026.

Evans dhe bashkëpiloti i tij Scott Martin do të garojnë për sezonin e 7 rradhazi me markën japoneze, ndërsa Ogier do të kthehet për një program të pjesshëm krahas Vincent Landais, duke marrë pjesë në më shumë se gjysmën e garave të sezonit të ardhshëm.

Katsuta, diplomanti i parë i “TGR WRC Challenge Program”, do të synojë të ndërtojë një karrierë mbi vitin 2025 që përfshiu podiume në Suedi dhe Finlandë, ndërsa Pajari hyn në sezonin e tij të dytë të plotë në “Rally1” pas një viti debutues të suksesshëm që u mbyll me një vend të 3 në “FORUM8 Rally Japan”.

Shefi i ekipit, Jari-Matti Latvala, tha se – “zgjerimi i formacionit thekson vizionin afatgjatë të japonezes Toyota”.

Ky njoftim përkon edhe me një hap të madh për “TGR WRC Challenge Program”, i cili do të shohë Yuki Yamamoto të marrë pjesë në një sezon tjetër të plotë të “WRC2” në vitin 2026 me një “GR Yaris Rally2”.

Programi do të zgjerohet më tej për të përfshirë shpresat japoneze Shotaro Goto dhe Takumi Matsushita, si dhe estonezin Jaspar Vaher – pilotin e parë jo-japonez të përzgjedhur – pas një vlerësimi Global të mbajtur në Finlandë më herët këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë