Njerez

‘Na janë premtuar zgjidhje por nuk kemi marrë’/ Personat me aftësi të kufizuar rikthehen në komision me të njëjtat kërkesa

Nga Gazeta Si- Siç e thonë edhe vetë, personat me aftësi të kufizuar kanë vite që bëjnë të njëjtat kërkesa, kanë vite që marrin premtimin se do zgjidhen dhe sot, në komisionin e Shëndetësisë kanë sjellë po të njëjtat kërkesa, ende të pazgjidhura.

Jonid Ferhati, përfaqësuesi i shoqatës së të verbërve tha në komision se prej vitesh pagesa e të verbërve nuk ka pasur rritje reale dhe se kërkesa për shërbime vijon të bëhet prej vitesh por pa një ndryshim real.

Ferhati tha se një tjetër kërkesë që ka është financimi dhe vënia në punë e shërbimit në qendrën kombëtare të rehabilitimit të të verbërve.

“Shërbimet për të verbërit janë zero. Sot nuk shpërndahen as shkopa të bardhë”.

Ndërkohë, edhe Shoqata e Invalidëve para-tetraplegjikë kërkon hapjen e një qendre, pasi ende nuk ekziston një e tillë.

Ndrekë Ismailaj, përfaqësuesi i shoqatës tha në Komision se jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një qendër rehabilitimi.

“Na është premtuar çdo vit, në çdo diskutim buxheti. Na është thënë se do bëjmë 4, 2 apo dhe 1 qendër por ende nuk e kemi një të tillë”, thotë Ismailaj, i cili ka shpjeguar edhe problematikën që ka hasur me bashkinë e Tiranës.

“Kemi marrë një repart ushtarak në Surrel. Që në 2022 gjykata ka detyruar bashkinë që të rehabilitojë qendrën. Ndërkohë, bashkia ka nxjerrë vendimin që reparti të prishet totalisht dhe të ndërtohet qendra, gjë që nuk ka ndodhur”, thotë Ismailaj, duke shtuar se që në 2018 janë në pritje të një qendre.

“Nuk kërkoj para, kërkoj shërbime, kërkoj ndihmë që të zgjidhim problemet”.

Edhe Bajram Tirana, përfaqësues i para-tetraplegjikëve me traumë në shtyllën kurrizore ka të njëjtën kërkesë: krijimin e një qendre rehabilitimi.

“E kemi kërkuar disa herë një qendër rehabilitimi kombëtare në Tiranë që çdo njeri të ketë mundësi rehabilitimi. Na është premtuar por ende nuk ka një lëvizje”, tha Tirana.

Ai gjithashtu shton se kujdestaria është thembra e Akilit për ta.

“Më gjeni një kujdestar që të shërben 24 orë me 130 mijë lekë të vjetra”, tha ai.

Komisioni është shoqëruar edhe me debate mes përfaqësueses së Ministrisë së shëndetësisë nertila Topulli dhe Ismailajt.

Ndërkohë që Topulli po shpjegonte se sa karroca siguron ministria, Ismailaj ka ndërhyrë, duke thënë se janë karroca hekuri dhe është e pamundur që të përdoren.

“Në botë përdorin titanium që të ndërtohen karroca ndërsa ju na jepni karroca hekuri”, tha Ismailaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë