Motosport

‘Scuderia’ triumfoi në ‘FIA WEC 2025’

Nga Gazeta Si – Ferrari u shpall kampione e Botës në “2025 FIA World Endurance Championship” për Pilotë dhe Konstruktorë në “Bapco Energies 8 Hours of Bahrain” falë një rezultati të trefishtë në pesëshen e parë në Sakhir.

Në sezonin e tretë në kategorinë “FIA WEC”, marka legjendare italiane ishte pikë referimi gjatë gjithë vitit në “Hypercar”, duke fituar 4 garat e para me prototipin “499P” dhe krijuar një avantazh që asnjë rival nuk arriti ta përmbyste.

Ky rezultat shënon suksesin e parë global të Ferrarit në garat e “World Sportscar Championship” pas më shumë se gjysmë shekulli më parë (për të fundit here në vitin 1972), duke përfunduar me një epërsi prej 74 pikësh ndaj ndjekësit më të afërt, Toyota, në renditjen e Konstruktorëve.

Për të plotësuar festën e Ferrarit, tre ekuipazhet e saj zunë tre vendet e para në renditjen e Pilotëve. Falë vendit të katërt në Bahrein, Antonio Giovinazzi, James Calado dhe Alessandro Pier Guidi siguruan titullin me makinën #51 “Ferrari AF Corse”, pasi kishin kryesuar që nga fitorja e tyre në garën e shtëpisë në Imola, në muajin Prill.

Vendin e dytë në renditjen e Pilotëve e morën fituesit e “24 Hours of Le Mans”, Robert Kubica, Phil Hanson dhe Yifei Ye, me makinën #83 “AF Corse 499P”, ndërsa ekipi #50 “Ferrari AF Corse” (Antonio Fuoco, Nicklas Nielsen dhe Miguel Molina) u rendit në vend të tretë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë