Gazeta Si – SPAK ka marrë zyrtarisht nën hetim ish-drejtorin e Burgjeve dhe IKMT-së, Agim Ismailin për tentativën e hakerimit të sistemit të SPAK në mars 2025.
Ismaili u paraqit mëngjesin e kësaj të enjteje në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku qëndroi për 90 minuta, ndërsa refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në dalje.
Sipas SPAK, ai është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm në praninë e një avokati, pasi ndaj tij po zhvillohen hetime për disa vepra penale: “përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Edhe më herët, ai është pyetur si person në dijeni në lidhje me tentativën e bërë nga disa persona për të hakeruar kompjuterat e prokurorëve të posaçëm.
Emri i Ismailit del në sulmin kibernetik që iu bë SPAK në mars të këtij viti, për të cilin ranë në pranga dy persona, ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj dhe ish-zyrtari i burgut Vlorë, Zambak Gjonaj.
Hakerët tentuan të merrnin informacione nga kompjuterët e 3 prokurorëve të posaçëm, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, por sipas Prokurorisë, nuk arritën që të depërtojnë në sistemin e brendshëm të IT-së.
Të dy këta persona i kanë shpërndarë dokumentet që kanë arritur të marrin në persona të tjerë, të cilët dyshohet se janë dy gazetarë, ish-kreu i burgjeve, Agim Ismaili, si dhe Dritan Palikaj, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë.
Sipas SPAK, ai dhe ish-punonjësi i IMT, Arnold Rrokaj, tentuan gjithashtu të hyjnë në email-in e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.
Ngjarja ndodhi më 12 mars dhe arrestimet u kryen brenda 24 orësh. Pajisjet dhe skedarët e përdorur për ndërhyrjen u sekuestruan nga autoritetet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



