Drejtësia

Elton Kila dëshmon në GJKKO atentatin e dështuar ndaj tij të Nuredin Dumanit dhe njohjen me Suel Çelën

Gazeta Si – Elton Kila, i njohur si “Oti i Elbasanit” ka dhënë dëshminë e tij në Gjykatën e Posaçme ku po mbahet seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”.

Ai foli për atentatet ndaj tij, duke u shprehur se nuk kishte patur asnjëherë konflikte të rënda me ndonjë person dhe se nuk kishte dijeni se kush kërkonte ta vriste.

Ditën që u arrestua, dyshohet se i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani ishte nisur për t’i bërë atentat Kilës, por përfundoi vetë nën breshëritë e armës. Kila tregoi në gjykatë dinamikën e asaj dite teksa bëri me dije se nuk ka qenë në Elbasan atë 29 mars.

“Ditën kur ka ndodhur plagosja dhe arrestimi i Nuredin Dumanit, kam qenë jashtë vendit me familjen dhe kam para nga lajmet plagosjen dhe arrestimin e Nuredin Dumanit unë kam qenë në Gjermani. Kisha ikur në 7:00 të mëngjesit të asaj dite. Më pas unë jam kthyer në Shqipëri pas një jave. Më pas kam mësuar se ai ishte nisur për të më bërë atentat mua, domethënë pas dy muajsh doli në lajme që Nuredin Dumani do vinte për të më vrarë mua në Elbasan. Nuk e mbaj mend kush ma ka thënë, por s’e kam besuar, sepse s’kishte gjë me mua. Unë e kam dëgjuar nga shumë njerëz, por edhe një polic ma tha. Emrin e Nuredin Dumanit e dëgjova atë ditë, nuk e dija me parë. Nëse të tjerët i kisha dëgjuar ngaqë kanë qenë në Elbasan, por këtë se njihja. Unë s’kam asnjë lloj lidhje me asnjë nga këta. Më kërkuan familja që të iki jashtë, por nuk pranova se nuk doja t’i lija njollë shtëpisë. Unë nuk jam fshehur, nuk jam ruajtur”, tha Kila para togave të zeza.

Për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë vëllai i Erion Alibejt, daja i tij dhe një turk, Elton Kila tha se atë ditë ka qenë në burg dhe se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.

Pavarësisht se në dëshminë e Henrik Hoxhajt dhe në dosje ka rezultuar se i shumëkërkuari Suel Çela e donte të vdekur dhe për këtë kishte paguar Nuredin Dumanin, “Oti i Elbasanit” ka rrëfyer se me Suelin e lidhte puna dhe se njiheshin që prej kur kanë qenë fëmijë.

Ndërsa tha se ishte takuar me babain dhe vëllain e tij të cilët i kishin thënë se nuk duhej të bëhej merak dhe s’duhet ta besonte diçka të tillë.

“Suel Çelën e njoh që kalama. Me Suel Çelën kam patur marrëdhënie pune, me vëllain e tij dhe me të atin me lidhte puna. Kemi qenë komshinj, dyert përballë. Marrëdhënia ka qenë korrekte, disa here kam udhëtuar edhe me babain e Suelit. I ati i tij merrej me fruta-perime, unë me automjetet. Për ngjarjet që më ndodhën, Sueli dhe Marjo Çela nuk mu gjendën pranë sepse unë kam qenë i distancuar dhe nuk doja të diskutoja me askënd. Dhe me vëllezërit e mi nuk diskutoja”, – theksoi Kila.

Sipas tij, “në gazetë doli lajmi që ka paguar Suel Çela për mua. Shkova te tregu ushqimor dhe takova familjarët e Suelit. Ishte dhe i vëllai i Suelit, Marjo dhe i ati i Suelit, Petriti. Vërtetë më thanë je bërë merak? Më gjuajtën te shpatullat. Unë isha i qetë. Me Suel Çelën jam takuar në vitin 2015 për herë të fundit. Nuk ndodhi asnjëherë takim mes nesh apo telefonatë për atë ngjarje. Atë kohë kam qenë i distancuar nuk kam patur kontakte”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë