Drejtësia

SPAK s’ka probleme me sigurinë! Prokurori Mara: Buxheti mbush nevojat. Për kriptot po negociojmë me qeverinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Prokurori i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Vladimir Mara, prezantoi projektbuxhetin e SPAK për vitin 2026, duke thënë se përmbush objektivat e institucionit.

Në projektbuxhetin për vitin 2026 për SPAK janë parashikuar rreth 2.12 miliardë lekë, me një rritje totale të shpenzimeve prej 233 milionë lekësh

“Buxheti për vitin 2026 për SPAK parashikohet në përmbushje të prioriteteve strategjike, objektivave institucionale dhe misionit të sundimit të ligjit, dhe besueshmërisë në drejtësi duke garantuar administrimin e përgjegjshëm dhe transparent të fondeve publike në funksion të rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Ndër të tjera, Mara tha se siguria në SPAK nuk është problematike dhe se të gjithë punonjësit dhe prokurorët janë më mase të shtuar sigurie.

Për sa i përket kërkesës së drejtuesit Altin Dumani, për një portofol për kriptomonedhat, Mara tha se janë në komunikim me qeverinë.

“Në lidhje me portofolin e kriptomonedhave është një fakt i bërë publik nga drejtuesi i SPAK, kjo ka lindur realisht nga nevoja gjatë hetimeve të kryera sidomos ato që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, ka pasur raste të sekuestrimit të kriptovalutave dhe ne nuk kemi patur portofol për t’i ruajtur këto kriptovaluta. Mendoj se ka nevojë edhe për ndërhyrje ligjore lidhur me këtë problematikë por jemi në komunikim edhe me Agjencinë e Sekuestrimit dhe Konfiskimit të aseteve kriminale për të mundësuar që ne të kemi një portofol të administruar nga kjo agjenci. Në fakt është problematikë e ngritur dhe që e shikojmë çdo ditë në hetimet tona.”, tha Mara. 

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi, në komision ngriti shqetësimin për sigurinë kibernetike.

“Para dy ditësh është publikuar në media në lidhje me një hakerim të ndodhur brenda SPAK, ku flitet se janë hakeruar dosjet dhe sistemi kibernetik i brendshëm i juaji. Nëse është e vërtetë kjo do të ishte shumë e rëndë. A keni marrë masa për parandalimin e rasteve të ngjashme? A keni kërkuar rritje të buxhetit për forcimin e sigurisë kibernetike në institucion?”, tha Këlliçi.

Mara tha se nuk ka pasur asnjë problematikë në lidhje me hakerimin e sistemeve kompjuterike brenda SPAK.

“Deri sot nuk kemi pasur problematika të tilla. Është treguar një kujdes i shtuar për ruajtjen e sistemeve duke përditësuar programet më të sofistikuara të ruajtjes, pasi hakerimi në sisteme është problematik”, tha ai, ndërsa u tha se për këtë çështje janë investuar 117 mln lekë dhe do të shtohen 52 mln të tjera në 2026-n.

“Gjatë këtij viti për projektbuxhetin e vitit 2026 janë propozuar edhe 52 milionë lekë të tjerë për standardet e sigurisë. Tek ne është një vëmendje e veçantë për sigurinë kibernetike. Është parashikuar ndërtimi i një rrjeti të mbyllur që nuk ka akses në internet, i dedikuar për elementët e sigurisë, për të rritur sigurinë dhe shkëmbimin e informacioneve nëpërmjet prokurorëve dhe hetuesve. Ky shpenzim shkon në 65 milionë lekë”, tha drejtori i Drejtorisë së Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar, Armand Shini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë