Gazeta Si – Gjashtë persona janë shpallur fajtorë dhe u dënuan nga gjykata me 16 vjet burg, pasi ngritën një skemë mashtrimi për përfitimin e rimbursimit të TVSH, ku mes tyre janë edhe dy italianë me kompanitë e tyre.
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata vendosi që njëri prej organizatorëve të dënohej me punë të detyruar në komunitet, ndërsa janë gjobitur me 6.1 milionë lekë 5 kompani.
Sipas organit të akuzës në kryeqytet, këta persona dhe shoqëritë e tyre, krijuan një skemë të mirëorganizuar të qarkullimit të parave përmes shërbimeve fiktive, me synim shpërndarjen e shumave monetare dhe shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitimin e padrejtë të TVSH-së, në kundërshtim me ligjet shqiptare dhe ndërkombëtare.
Prokuroria e Tiranës, thotë se nga një procedim penal i vitit 2021, është provuar se I.Q., E.B., në bashkëpunim me italianët, A.D., S.C. dhe S.C., ngritën skemën mashtruese për përfitimin e rimbursimit të TVSH-së.
Këta persona, nëpërmjet kompanive të tyre, kanë lëshuar fatura fiktive për shërbime konsulence në favor të shoqërisë “Sidec”, me qëllim justifikimin e qarkullimit të parave dhe shmangien e tatimeve.
Në hetime, rezulton se A.D., ka qenë organizatori dhe përfituesi kryesor i kësaj skeme, ndërsa të tjerët kanë vepruar si bashkëpunëtorë dhe ndihmës.
Ndërkohë, Z.K., me detyrë kontabilist, është shpallur fajtor për moskallëzim krimi, pasi kishte dijeni të plotë për situatën financiare dhe manipulimet kontabël.
Gjykata vendosi dënime të ndryshme për individët e përfshirë:
-Ilir Qafa: 3 vjet burgim për krijim skeme mashtruese në TVSH;
-Elton Beqiraj: 3 vjet burgim për skemë mashtruese dhe mospagim taksash;
-Andrea Emanuele di Dio: 4 vjet burgim për fshehje të të ardhurave dhe skemë mashtruese;
-Salvatore Castorina dhe Salvatore Cascino: 3 vjet burgim secili për skemë mashtruese dhe mospagim taksash;
-Zaho Kuka: 180 orë punë në interes publik për moskallëzim krimi.
Po ashtu, gjykata shpalli fajtorë dhe gjobiti personat juridikë:
-“Sidec Albenergy” sh.p.k.: 1.500.000 lekë;
–“Primis” sh.p.k.: 1.000.000 lekë;
–“Gainsbourg” sh.p.k.: 1.200.000 lekë;
-“Al Nair Trading” sh.p.k.: 1.200.000 lekë;
–“CS International Consulting”: 1.200.000 lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



