Gazeta Si – Seanca paraprake për dosjen e ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhit dhe tre të tjerëve është shtyrë për në datën 17 nëntor, ora 09:00.
Shkak u bë kërkesa e avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Ai tha në një prononcim për mediat se së pari gjykata duhet të shprehet për këtë kërkesë të bërë më herët prej tyre.
Sa i përket paraqitjes së provave nga SPAK, Cakrani e shikon si shkelje të procedurës.
“Ika nga seanca i lashë aty prokurorët dhe gjyqtarët në seancë. Nuk mund të legjitimoj paligjshmërinë e saj që pranon çdo akt të prokurorëve”, tha avokati.
Ndërkohë, po ashtu sot do shqyrtohej në Apel edhe kërkesa e Metës për shuarjen e masës së sigurisë arrest në burg, por seanca u shty.
Shkak u bë paraqitja e një kërkese nga mbrojtja për përjashtimin e gjyqtares Saida Dollani me argumentin se muajin e kaluar ka gjykuar çështjen për revokimin e masës, e cila vendosi mospranimin.
Avokati Kujtim Cakrani pretendoi se e njëjta gjyqtare nuk mund të gjykojë të njëjtin person mbi dy kërkesa të ndryshme. Seanca e radhës u la në datën 14 nëntor në orën 9:00.
Sai i takon seancën paraprake në GJKKO, avokati i Ilir Metës ka akuzuar më herët gjyqtaren Gjoka se ndodhet nën presion nga prokurorët e SPAK dhe se ndaj saj po zhvillohen hetime për një çështje të ngritur më herët nga Sali Berisha, lidhur me një dënim të supozuar për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Në seancën më të fundit të mbajtur për çështjen e Metës ku kërkonte lirimin, prokurorët e SPAK bënë me dije se kanë ardhur letërporosi nga SHBA që lidhen me pagesat në dosjen e lobimit të ish-LSI.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 nga agjentët e BKH-së pranë “Kthesës së Kamzës”, ndërsa po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë.
Në të njëjtën dosje hetimore është përfshirë edhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e akuzuar për pastrim parash.
Gjatë një viti paraburgim, Meta ka bërë disa herë kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë, por të gjitha janë rrëzuar nga gjykatat e të gjitha niveleve, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, e cila më 16 tetor konfirmoi mbajtjen e tij në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



