Drejtësia

Kontrollet në banesë, Arben Ahmetaj padit qeverinë në Strasburg: U shkel imuniteti i deputetit

Gazeta Si – Nga arratia, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij, Erjola Hoxha, kanë paditur në Gjykatën e Strasburgut qeverinë shqiptare në lidhje me kontrollet e ushtruara në banesën e tyre nga GJKKO pas urdhrit të SPAK, i cili po i heton në mungesë për çështjen e inceneratorëve.

Sipas dokumentit zyrtar, padia është depozituar më 8 maj 2024 dhe çështja i është komunikuar zyrtarisht qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025.

Ahmetaj pretendon se kontrollet ishin të paligjshme, pasi janë kryer në kohën kur ai ishte ende deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe se i është shkelur imuniteti si ligjvënës.

Akuza lidhet me kontrollin e ushtruar më 9 mars 2023 në banesën e Ahmetajt, si dhe me sekuestrimin e telefonit të partneres së tij Erjola Hoxha, mbi bazën e një urdhri të GJKKO. 

Referuar ligjit të Kushtetueses, banesat e deputetëve, nuk mund të kontrollohen pa autorizim paraprak të Parlamentit.

Duke renditur pretendimet se nuk kishte pasur procedurë të rregullt për kontrollet ndaj tyre, Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij kërkojnë drejtësi në Gjykatën Evropiane.

Kjo e fundit, në pyetjet drejtuar qeverisë shqiptare, kërkon të dijë nëse kontrolli i banesës është ushruar në përputhje me Kushtetutën që u garanton deputetëve imunitetin, si dhe nëse Ahmetajt dhe bashkëjetueses së tij u janë mundësuar mjetet e duhura ligjore për të kundërshtuar sekuestrimin e sendeve të tyre.

Kërkesa e GJEDNJ ndaj qeverisë për Ahmetajn:

Aplikanti i parë ishte në kohën përkatëse Anëtar i Parlamentit (MP) dhe aplikanti i dytë është partnerja e tij. Kërkesa ka të bëjë me kontrollet e personit dhe telefonit celular të aplikantes së dytë dhe të banesës së përbashkët të aplikantëve, të kryera më 9 mars 2023, në bazë të një vendimi të Gjykatës Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të lëshuar më 8 mars 2023. Vendimi përfundimtar u miratua nga Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor 2023 dhe iu dorëzua aplikantëve më 12 janar 2024.

Aplikantët ankohen se kontrolli i banesës së tyre ishte i paligjshëm, sepse aplikanti i parë ishte deputet në kohën përkatëse dhe shtëpia e tij nuk mund të kontrollohej pa autorizim paraprak parlamentar (sipas Nenit 73 (2) të Kushtetutës); dhe se ata nuk kishin qasje në një procedure për të kundërshtuar kontrollet në fjalë, në kundërshtim me kërkesat e Neneve 8 dhe 13 të Konventës.

PYETJE PËR PALËT

1.A pati shkelje të së drejtës së aplikantit të parë për respektimin e shtëpisë së tij, të garantuar nga Neni 8 i Konventës? Në veçanti, a u krye kontrolli i banesës në përputhje me Nenin 73 (2) të Kushtetutës mbi imunitetet e deputetëve? A i shteroi aplikanti i parë ndonjë mjet efektiv të brendshëm në këtë drejtim?

2.A u siguruan legjislacioni dhe praktika vendase aplikantëve mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, modalitetet e kontrolleve të banesës së tyre dhe personit dhe telefonit celular të aplikantit të dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet sipas neneve 8 dhe 13 të Konventës (shih Brazzi kundër Italisë, nr. 57278/11, §§ 41-48, 27 shtator 2018; Giuliano Germano kundër Italisë, nr. 10794/12, § 95, 22 qershor 2023; Mukhtarli kundër Azerbajxhanit, nr. 39503/17, §§ 216 dhe 217, 5 shtator 2024; dhe Posevini kundër Bullgarisë, nr. 63638/14, § 84, 19 janar 2017)? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i nënshtruar ndonjë apeli?

Qeveria ftohet të ofrojë jurisprudencën përkatëse dhe shembujt e shqyrtimit nga gjykatat më të larta të apeleve të ngjashme”, – thuhet në dokumentin e GJEDNJ.

Ndërkohë, SPAK ka caktuar si afat 23 dhjetorin 2025 për mbylljen e veprimeve hetimore, datë kjo kur pritet kopsitja e dosjes për Ahmetajn, i cili ndodhet në arrati prej më shumë se dy vitesh në Zvicër.

Ahmetaj hetohet me masë sigurie në mungesë lidhur me akuzën e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë për dosjen e inceneratoreve.

Të pandehur për këtë çështje, SPAK ka marrë edhe ish-bashkëshorten dhe bashkëjestuesen e Ahmetajt, të cilat akuzohen për pastrim parash. Ndërsa javë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri.

Ish-ministri dhe numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj, është në arrati prej qershorit 2023, ndërsa prej 24 korrikut të këtij viti vitit është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, ndërmori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare. Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.

Më 13 korrik 2023, Parlamenti miratoi me 117 vota pro, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e Arben Ahmetajt dhe kontrollin e banesës së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë