Nga Gazeta Si – Lando Norris rriti edhe më shumë epërsinë e tij në renditje pas fitores në “Çmimin e Madh të Sao Paulo-s”.
Piloti i McLaren la pas Kimi Antonelli-n ndjekur nga Max Verstappen që realizoi një garë të jashtëzakonshme për të përfunduar në podium pas nisjes nga bokset.
Pas një nisjeje të mirë nga “pole position”, Norris ruajti kryesimin gjatë xhirove të para kaotike.
“Safety” Car u aktivizua pas aksidentit të Gabriel Bortoleto-s (Kick Sauber) i cili u përplas me barrierat në garën e shtëpisë.
Pas rinisjes, u aktivizua “Virtual Safety Car” për shkak të një incidenti tjetër, ku Oscar Piastri bllokoi rrotat dhe u përplas me Antonelli-n, duke e dërguar Mercedes-in tek Charles Leclerc, i cili u detyrua të tërhiqej për shkak të dëmeve në Ferrarin e tij.
Për atë përplasje, Piastri u dënua me 10 sekonda penalitet, në një garë ku u panë strategji të ndryshme dhe interesante.

Ndër to ajo e Verstappen, i cili, pas një shpimi të hershëm të gomës, arriti të ngjitej ndjeshëm në renditje dhe të sfidonte vendet e para teksa gara i afrohej fundit dramatik.
Ndërsa Norris kaloi vijën e finishit me 10 sekonda avantazh për të siguruar fitoren e shtatë të sezonit, pas tij u zhvillua një duel i fortë mes Antonelli-t dhe Verstappen për vendin e dytë.
Antonelli ia doli të mbante pozicionin, duke regjistruar rezultatin më të mirë të karrierës së tij, ndërsa Verstappen mbylli garën me një vend të 3 mbresëlënës.
George Russell gjithashtu u përball me presionin e Piastri-t në fund, por arriti ta mbante pas McLaren-in për të siguruar vendin e 4 ndërsa Piastri u desh të kënaqej me vendin e 5, në një ditë që mund të kishte sjellë më shumë pa penalitetin e hershëm.
Një fundjavë shumë e mirë për Ollie Bearman, i cili kaloi vijën e finishit në vendin e 6 për Haas, ndërsa dyshja e Racing Bulls, Liam Lawson dhe Isack Hadjar, siguruan pikë të vlefshme për ekipin e tyre në vend 7 dhe 8.
Një incident mes tyre në xhiron e fundit u mor në shqyrtim nga komisarët, por u vendos që nuk kishte nevojë për hetim të mëtejshëm.
Nico Hulkenberg përfundoi në vendin e 9 me Kick Sauber, ndërsa Pierre Gasly rrëmbeu pikën e fundit për Alpine në vendin e 10.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



