Nga Gazeta Si – Lideri i kampionatit Lando Norris rriti epërsinë e tij pasi fitoi Sprint-in në “Çmimin e Madh të Sao Paulo”-s, duke lënë pas Kimi Antonellin (Mercedes).
Piloti tjetër i McLaren, Oscar Piastri, u përfshi në një aksident dhe përfundoi jashtë garës.
Norris ja doli të fitonte Sprint-in në Interlagos, duke mbajtur nën kontroll presionin e Antonelli-t mes kushteve që ndryshonin vazhdimisht, në një garë ku makina tjetër “papaja” e McLaren-it, ajo e Piastrit, u përplas që në fillim.
Gara nisi qetësisht dhe Norris udhëhoqi pa probleme nga “pole position”, por gjithçka ndryshoi pas vetëm disa xhirosh, kur Piastri goditi barrierat pasi doli mbi bordurat e lagështa në kthesën 3.
Menjëherë pas tij, edhe Nico Hulkenberg dhe Franco Colapinto dështuan në të njëjtin vend.

Sprint-i u ndërpre me flamur të kuq për të pastruar dëmet, por pas rinisjes, Norris ruajti sërish pozicionin e parë.
Megjithatë, në xhirot e fundit situata u bë e pasigurt, pasi britaniku filloi të kishte probleme me gomat e buta nën presionin e shtuar të Antonelli-t.
Gara përfundoi nën flamuj të verdhë të dyfishtë, pas një aksidenti të rëndë të Gabriel Bortoleto-s (Kick Sauber) ndërsa Norris arriti të mbante epërsinë dhe të fitonte me vetëm 0.845 sekonda diferencë.
George Russell kompletoi një ditë të mirë për Mercedes me vendin e tretë, ndërsa Max Verstappen (Red Bull) siguroi disa pikë të vlefshme në vendin e 4, duke mbajtur gjallë shpresat për titull.
Charles Leclerc përfundoi në vendin e 5 për Ferrari-n pas një parakalimi të vonshëm ndaj Fernando Alonso-s, ndërsa Lewis Hamilton (në makinën tjetër të Scuderia-s) dhe Pierre Gasly i Alpine zunë vendet 7 dhe 8.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



