Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i bëri thirrje BE-së që t’i marrë shumë seriozisht aktivitetet e Beogradit brenda të ashtuquajturës “doktrinë e botës serbe”, duke paralajmëruar se kjo mund të përbëjë një kërcënim për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Ballkani Perëndimor është një pikë kritike sigurie që kërkon vëmendjen e plotë të Bashkimit Europian”, tha Radev, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me rreziqet që paraqet projekti ‘Bota Serbe’ dhe se si kjo iniciativë nga Beogradi ndikon në sigurinë në rajon.
“Unë besoj se është koha e duhur që të gjitha institucionet europiane ta marrin këtë problem shumë më seriozisht. Kjo është një çështje jashtëzakonisht e ndjeshme edhe për ne”, theksoi Radev.
Ditë më parë edhe raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, Tonino Picula, paralajmëroi për rrezikun e projektit “Bota Serbe”, i cili synon të rindërtojë një pjesë të ish-Jugosllavisë me Serbinë në qendër të tij, duke rifituar kontrollin mbi Kosovën dhe duke sjellë shtete tani të pavarura si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të tjera, përsëri në orbitën e Beogradit.
Ndonëse Beogradi ka thënë se nuk ka aspirata territoriale ndaj fqinjëve dhe e ka justifikuar këtë me kujdes ndaj qytetarëve me kombësi serbe në shtetet që kanë dalë nga rënia e Jugosllavisë, analistë të shumtë, shqiptarë dhe ndërkombëtarë e kanë parë në fakt atë si një vazhdim të projektit të ‘Serbisë së madhe’ të Sllobodan Millosheviçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



