Kosova

Kurti propozon: Unë Ministër i Jashtëm, Glauk Konjufca Kryeministër

Nga Gazeta ‘Si’- Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për kandidat për kryeministër të Kosovës.

“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbërmë”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Ai iu referua postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga Kurti më 26 tetor – por që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Kurti tha po ashtu se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.

Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.

“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.

Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.

Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.

Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.

Osmani tha se Kushtetuta e obligon që ajo të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë