Propozimi i Qeverisë shqiptare për rregullimin e tregut të mediave online ka shqetësuar jo vetëm aktorët e medias në këtë sektor, por edhe organizata ndërkombëtare të medias dhe gazetarisë. Katër prej këtyre organizatave i kanë adresuar një letër të përbashkët Ministrisë së Drejtësisë dhe Kryeministrit Edi Rama ku shprehin shqetësimin e tyre për këtë nismë.
“Ju shkruajmë në emër të Qendrës Europiane për Lirinë e Medias, Federatës Europine të Gazetarëve, Reporterëve pa Kufij dhe PEN International. E kuptojmë që qëllimi juaj është të luftoni lajmin e rremë nga aktorë anonimë, që mund të ndikojnë tek publiku shqiptar”, thuhet në letrën e dërguar në adresë të Edi Ramës.
Letra vijon më tej me shqetësimin real të lajmeve të rreme dhe keqinformuese, organizatat thonë se Shqipëria nuk është i vetmi vend demokratik që po përballet me këtë fenomen dhe këshillon, që në vend të propozimit në fjalë t’i jepet kohë tregut që të vetërregullohet.
“Përfaqësuesit e OSBE-së e kanë bërë të qartë më shumë se një herë se vendet nuk duhet të vendosin udhëzime përforcuese për regjistrimin e mediave online, në mënyrë që ato të operojnë. Kjo mund të japë një efekt më shumë se negativ në lirinë e medias dhe të shprehjes”, vijon letra.
Organizatat theksojnë se nisma e Qeverisë jo vetëm që shkon përkundër rekomandimeve të OSBE-së, por nëse drafti do të kalojë në Parlament do të ketë një ndikim të menjëhershëm dhe tejet negativ në lirinë e qytetarëve shqiptarë për t’u informuar përmes mediave online.
“Ju kërkojmë menjëherë që të tërhiqeni nga draftet që amendojmë dy ligjet që përfshijnë gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile. Presim në vazhdim zotimin e qeverisë tuaj se nuk do të vazhdoni më tej me këtë nismë”, mbyllet letra e katër organizatave në fjalë.
Nisma e Qeverisë parashikon krijimin e një regjistri për të gjitha mediat online. Regjistri do të krijohet pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare. Parashikohet gjithashtu edhe vendosja e përmbajtjes së medias online nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Medias Audiovizive dhe një Këshilli Ankesash, që do të ngrihet pranë AMA-s. Nga ky Këshill do të përcaktohet më pas nëse një media është “e paanshme”, apo “cenon moralin publik”. Në varësi të gjykimit të këtij Këshilli, mediat online mund të përballen me gjoba të majme prej mijëra eurosh, deri në mbylljen e tyre përfundimtare.
Kryeministri Edi Rama ka shënjestruar jo rrallëherë mediat online. Ai i akuzon ato për shpifje dhe përdorur rëndom fjalën “kazan” kur u referohet këtyre mediave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




